Trump: Jemi shumë pranë një marrëveshjeje me Iranin

Trump: Jemi shumë pranë një marrëveshjeje me Iranin

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se Shtetet e Bashkuara dhe Irani po i afrohen shumë një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme.

Duke folur për CBS në një intervistë telefonike, presidenti amerikan paralajmëroi gjithashtu se nëse SHBA-ja dhe Irani nuk arrijnë një marrëveshje, do të ketë “një situatë ku asnjë vend nuk do të goditet aq fort sa është gati të goditet”.

Më herët, dy zyrtarë rajonalë dhe një diplomat, duke folur në kushte anonimiteti, konfirmuan gjithashtu se një marrëveshje mbi një memorandum mirëkuptimi që synon t’i japë fund luftës është e arritshme.

Irani sinjalizoi “ngushtimin e dallimeve” në negociatat me SHBA-në, pasi shefi i ushtrisë së Pakistanit zhvilloi më shumë bisedime në Teheran, dhe Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, u tha gazetarëve në Indi se “është bërë disa përparime” dhe “mund të ketë lajme më vonë sot”.

Sipas të njëjtëve zyrtarë, një vendim përfundimtar mbi propozimin e hartuar nga Pakistani mund të merret brenda 48 orësh, ndërsa të dyja palët e shqyrtojnë atë.

Megjithatë, si Irani ashtu edhe SHBA-të i janë përmbajtur kërkesave të tyre kryesore dhe kanë paralajmëruar për rreziqet nëse sulmet rifillojnë.

Ndryshe, televizioni shtetëror iranian citoi zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme, Esmail Baghaei, duke e përshkruar draftin si një “marrëveshje kornizë”.

“Ne duam që kjo të përfshijë çështjet kryesore të nevojshme për t’i dhënë fund luftës së imponuar dhe çështje të tjera me rëndësi thelbësore për ne. Pastaj, gjatë një periudhe të arsyeshme kohore, midis 30 dhe 60 ditëve, diskutohen detajet dhe në fund arrihet një marrëveshje përfundimtare”, shtoi Baghaei.

Ai tha se Ngushtica e Hormuzit është ndër temat e diskutuara.

MARKETING