Trump: Irani kërkon marrëveshje urgjentisht, por vendimin për negociatat e marrim ne
Presidenti amerikan Donald Trump thotë se Shtetet e Bashkuara janë të hapura për rikthimin e negociatave me Iranin, por thekson se vendimi përfundimtar për angazhimin do të merret nga Uashingtoni.
Trump deklaroi se Irani dëshiron me urgjencë një marrëveshje paqeje, ndërsa sinjalizoi se administrata amerikane është e gatshme të shqyrtojë mundësinë e rinisjes së bisedimeve me Teheranin.
Në një postim në Truth Social, presidenti amerikan tha se Teherani dëshiron që marrëveshja të arrihet “shpejt dhe me çdo kusht”, por paralajmëroi se koha dhe mënyra e angazhimit të SHBA-së do të vendosen nga Uashingtoni.
“Jemi të hapur për të rifilluar negociatat me Iranin”, ishte mesazhi i Trump, duke nënvizuar se vendimi përfundimtar i takon atij, transmeton Telegrafi.

SHBA-ja dhe Irani nuk kanë zhvilluar bisedime të mirëfillta për paqen që nga memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar më 17 qershor, ndërsa armëpushimi që pasoi u rrëzua pas më pak se një muaji.
Deklarata e fundit e Trump nuk është hera e parë që presidenti amerikan pretendon se një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës me Iranin është pranë arritjes.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse sinjalet e reja nga Uashingtoni do të çojnë në rikthimin konkret të negociatave mes dy vendeve.

