Trump inkurajon Izraelin të godasë objektet bërthamore të Iranit
Kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump, tha të premten se beson se Izraeli duhet të godasë objektet bërthamore të Iranit në përgjigje të breshërisë së fundit të raketave të Republikës Islamike.
Ish-presidenti amerikan , duke folur në një ngjarje të fushatës në Karolinën e Veriut, iu referua një pyetjeje që i është bërë presidentit demokrat Joe Biden këtë javë në lidhje me mundësinë që Izraeli të synojë programin bërthamor të Iranit, transmeton Telegrafi.
“Ata e pyetën, çfarë mendoni për Iranin, a do ta godisnit Iranin? Dhe ai thotë, për sa kohë që ata nuk godasin lëndën bërthamore. Kjo është gjëja që dëshironi të godisni, apo jo”, tha Trump në një ngjarje në Fayetteville, pranë një baze të madhe ushtarake amerikane.
Biden u pyet të mërkurën nëse do të mbështeste sulmet kundër objekteve bërthamore iraniane, dhe presidenti amerikan u tha gazetarëve: “Përgjigja është jo”.
“Unë mendoj se ai e ka gabim atë”, tha Trump të premten, në përgjigje të pyetjes së një pjesëmarrësi në lidhje me këtë çështje.
“A nuk është kjo ajo që ju duhet të goditni? Dua të them, është rreziku më i madh që kemi, armët bërthamore”, shtoi ai.
“Kur ata i bënë atë pyetje, përgjigjja duhet të ishte, goditja e parë bërthamore dhe shqetësimi për pjesën tjetër më vonë. Nëse ata do ta bëjnë atë, ata do ta bëjnë atë. Por ne do të zbulojmë cilatdo qofshin planet e tyre”, tha ndër tjera Trump.
Biden shprehu të mërkurën kundërshtimin e tij ndaj sulmeve të tilla kundër objekteve bërthamore të Iranit, në përgjigje të gjuajtjes së afro 200 raketave iraniane drejt Izraelit.
“Ne do të diskutojmë me izraelitët se çfarë do të bëjnë”, tha ai, duke shtuar se të gjithë anëtarët e G7 bien dakord se Izraeli ka “të drejtën të përgjigjet, por ata duhet të përgjigjen në proporcion”. /Telegrafi/