Tribunali ndërkombëtar hedh poshtë kërkesën e Argjentinës për të ndaluar shpimet për naftë pranë Ishujve Falkland
Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtën e Detit të shtunën refuzoi kërkesën e Argjentinës për masa të përkohshme për të ndaluar shpimet për naftë të autorizuara nga Mbretëria e Bashkuar pranë Ishujve Falkland, të njohur në Argjentinë si Islas Malvinas, transmeton Anadolu.
Me një vendim prej 18 votash pro dhe tri kundër, gjykata me seli në Hamburg konstatoi se nuk kishte baza të mjaftueshme për të përcaktuar juridiksionin e një gjykate arbitrazhi që do të krijohej në bazë të Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit.
“Dispozitat e paraqitura nga pala kërkuese nuk duket se ofrojnë, në pamje të parë, bazë për juridiksionin e gjykatës së arbitrazhit që do të krijohet sipas Aneksit VII”, thuhet në vendim.
Argjentina kishte kërkuar parandalimin e shpimeve të reja dhe instalimit të infrastrukturës së prodhimit në kuadër të projektit të naftës Sea Lion, si dhe ndalimin e dhënies së autorizimeve të reja për shfrytëzimin e burimeve në ujërat e kontestuara.
Gjykata vuri në dukje garancitë e Britanisë se shpimet nuk do të fillojnë para marsit të ardhshëm dhe nxjerrja e naftës para marsit 2028, si dhe se nuk do të jepen licenca të tjera në kuadër të regjimit të pezulluar të licencimit.
Ajo theksoi se konventa vazhdon të zbatohet në zonat detare të kontestuara dhe inkurajoi të dyja vendet të bashkëpunojnë për krijimin sa më të shpejtë të gjykatës së arbitrazhit.
Gjykata theksoi se vendimi i saj nuk paragjykon juridiksionin e gjykatës së arbitrazhit, pranueshmërinë e pretendimeve të Argjentinës apo themelin e çështjes.
Projekti Sea Lion operohet nga kompania Navitas Petroleum, e cila zotëron 65 për qind të aksioneve, ndërsa 35 për qind e mbetur zotërohet nga Rockhopper Exploration.
Në vitin 1982, Argjentina dhe Mbretëria e Bashkuar zhvilluan një luftë 74-ditore për Ishujt Falkland, e cila përfundoi me tërheqjen e Argjentinës dhe mbetjen e ishujve nën kontrollin britanik.

