Teherani paralajmëron se forcat e huaja pranë Iranit “përballen me rreziqe” pas kërcënimit të Trumpit

Teherani paralajmëron se forcat e huaja pranë Iranit “përballen me rreziqe” pas kërcënimit të Trumpit

Ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Abbas Araghchi, ka paralajmëruar se forcat ushtarake të huaja që operojnë pranë Iranit “përballen me rreziqe”, duke bërë thirrje që ato të largohen nga rajoni, vetëm disa orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, u zotua të përgjigjej ndaj një sulmi të dyshuar iranian ndaj një helikopteri ushtarak amerikan, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të publikuar në platformën sociale amerikane X, Araghchi tha se Ngushtica e Hormuzit ndahet mes Iranit dhe Omanit dhe ndodhet larg territorit amerikan.

“Forcat tona të fuqishme të armatosura janë në gatishmëri të vazhdueshme ndaj çdo shkeljeje të hapësirës ajrore, territorit tokësor ose ujërave të Iranit”, tha ai.

Araghchi paralajmëroi se forcat e huaja që operojnë pranë Iranit janë të ekspozuara ndaj rreziqeve që rrjedhin nga “gabimet njerëzore, aksidentet e zakonshme ose mundësia për t’u gjendur në mes të zjarrit të kryqëzuar”.

“Për të ulur rrezikun, zgjidhja më e mirë është që forcat e huaja të largohen sa më shpejt nga një mjedis që nuk do të jetë kurrë mikpritës ndaj një pranie armiqësore”, shtoi ai.

Kryediplomati iranian tha se Teherani preferon diplomacinë, por paralajmëroi se Irani është në gjendje të përgjigjet edhe me mjete të tjera nëse është e nevojshme.

“Irani preferon gjuhën e diplomacisë. Megjithatë, siç ua kanë treguar botës luftëtarët tanë trima, ne dimë të flasim edhe gjuhë të tjera”, tha ai.

Deklaratat erdhën pasi Trump tha se SHBA-ja “duhet” të përgjigjen ndaj një sulmi të dyshuar iranian që rrëzoi një helikopter amerikan Apache mbi Ngushticën e Hormuzit.

“Sapo jam informuar nga ushtria jonë e madhe se mbrëmë iranianët rrëzuan një nga helikopterët tanë Apache shumë të sofistikuar gjatë patrullimit mbi Ngushticën e Hormuzit”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.

Ai tha se të dy pilotët u shpëtuan të padëmtuar, ndërsa Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) konfirmoi më vonë se dy anëtarë të ekuipazhit u gjetën pas rrëzimit, duke shtuar se shkaku i incidentit mbetet nën hetim.

Shkëmbimi i fundit i deklaratave vjen në mes të tensioneve të ripërtërira në rajon, pas disa ditësh përballjesh ushtarake mes Iranit dhe Izraelit, pavarësisht përpjekjeve diplomatike për të ruajtur një armëpushim të brishtë.

MARKETING