Taravari për masat rigoroze të Bajdenit: Qeveria i përmbahet maksimalisht të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare
Lideri i Aleancës për shqiptarët e cila është pjesë e koalicionit qeveritar “VLEN”, Arben Taravari sot përshëndeti paralajmërimet e presidentit amerikan Xhozef Bajden kundër atyre që kërcënojnë Ballkanin Perëndimor dhe minojnë marrëveshjet e pasluftës.
“Padyshim që po, unë mendoj që qeveria deri tash, këto 6-7 muaj ka dëshmuar që fuqimisht qëndron pas gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare, posaçërisht aty ku kanë qenë të kyçura edhe SHBA-të, që i përkrahën dhe i përmbanë. Unë i përshëndes masat e fundit që i ka dhënë DASH dhe presidenti Biden, kështu që ne nuk kemi problem, ata që kanë problem duhet të jenë më të vëmendshëm”, tha mes tjerash Taravari.
Ndryshe, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka zgjeruar të mërkurën fushën e sanksioneve për kompanitë dhe njerëzit e përfshirë në destabilizimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.Kjo vlen për ata të cilët u nënshtrohen masave ndëshkuese amerikane për sfidimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor, cenimin e marrëveshjeve dhe institucioneve të pasluftës, si dhe pjesëmarrjen në korrupsion të konsiderueshëm që cenon sundimin e ligjin dhe besimin në qeverisjen demokratike dhe shmangien e sanksioneve të qeverisë amerikane.