Taravari në Turqi: Duam të rrisim bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë

Taravari në Turqi: Duam të rrisim bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, i vlerësoi marrëdhëniet e vendit të tij me Türkiyen, duke shprehur ambiciet për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë, raporton Anadolu.

Taravari mori pjesë në “Forumin e Biznesit të Shëndetësisë të Vendeve Ballkanike” të organizuar nga Korporata e Shërbimeve Shëndetësore Ndërkombëtare (USHAŞ) e Ministrisë së Shëndetësisë së Türkiyes në Edirne, ku mori pjesë edhe ministri turk i Shëndetësisë, Kemal Memişoğlu, si dhe ai i Bullgarisë, Silvi Kirilov.

Në fjalën e tij në forum, Taravari theksoi Türkiye është një vend me investime të mëdha dhe të forta në fushën e shëndetësisë.

“Ne e shohim Türkiyen jo si partner, por si vëlla. Duam të rrisim bashkëpunimin tonë me Türkiyen në fushën e shëndetësisë, si në çdo fushë tjetër”, tha Taravari.

Ai falënderoi Türkiyen si një vend që trajtoi një numër të pacientëve të lënduar nga zjarri në një klub nate në qytetin e Koçanit muajin e kaluar, nga i cili 62 persona humbën jetën dhe rreth 170 u lënduan.

“Për të gjithë këto, ne jemi thellësisht falënderues”, tha Taravari.

Ndërkohë, siç njofton Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut, Taravari ka vizituar sot spitalin “Çam ve Sakura” në Istanbul, ku po trajtohen dy nga të rinjtë e lënduar në tragjedinë e Koçanit.

Në këtë spital ishin të shtruar fillimisht gjashtë pacientë, prej të cilëve katër janë liruar tashmë pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore dhe janë kthyer në shtëpi.

Siç njoftohet, dy pacientët e mbetur janë në gjendje stabile dhe po vazhdojnë rikuperimin e tyre.

MARKETING