Sulme me dronë mes Rusisë dhe Ukrainës gjatë natës, 8 të plagosur në Kiev

Sulme me dronë mes Rusisë dhe Ukrainës gjatë natës, 8 të plagosur në Kiev

Sulmet ruse gjatë natës plagosën të paktën 8 persona në kryeqytetin ukrainas Kiev ndërsa sulmet ukrainase në Rusi goditën një qendër logjistike në rajonin Saratov, në pronësi të një kompanie të shitjeve elektronike, transmeton Anadolu.

Guvernatori i Saratovit, Roman Busargin tha në një deklaratë në Telegram se sulmet ajrore ukrainase gjatë natës shkaktuan dëme në infrastrukturën civile në kryeqendrën e rajonit, duke theksuar se të gjitha shërbimet e emergjencës po punonin në vendngjarje.

“Raportet paraprake tregojnë se nuk ka viktima”, tha Busargin pa dhënë detaje të mëtejshme për infrastrukturën e goditur në sulm. “Ozon”, një kompani ruse e shitjeve online, njoftoi se qendra e saj logjistike dhe pika e shpërndarjes në Saratov u goditën nga një sulm me dron, duke shkaktuar zjarr.

“Ne po largojmë nga platforma e shitjeve mallrat e ruajtura në objekt. Ato nuk do të jenë më të disponueshme për porosi. Disa porosi do të anulohen ndërsa të tjerat do të përmbushen nga qendra të tjera logjistike”, thuhej në deklaratë.

Kompania shtoi se pranimi dhe dërgimi i porosive të reja për klientët në Saratov dhe rajonin përreth u pezulluan përkohësisht. Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore rrëzuan 777 dronë ukrainas në 16 rajone si dhe mbi Detin e Zi, Detin Kaspik dhe Krime, të cilin Moska e aneksoi në vitin 2014.

Ukraina ka intensifikuar sulmet me dronë ndaj objekteve logjistike ruse në kuadër të një fushate që nisi në mes të korrikut dhe është përhapur në një sërë rajonesh ruse. Që nga korriku, dronët ukrainas kanë shënjestruar qendrat logjistike të “Wildberries”, kompanisë më të madhe ruse të shitjeve online, në disa rajone ndërsa sulmet janë zgjeruar edhe ndaj objekteve të “Ozon”-it që nga muaji i kaluar.

Kievi pretendon se të dyja kompanitë po luajnë rol në zinxhirin e furnizimit ushtarak të Moskës ndërsa Moska dhe dy kompanitë këmbëngulin se objektet janë komerciale.

MARKETING