Struga – Shkëndija barazojnë, Besa fiton Brerën

Pasditën e kësaj të diele janë zhvilluar tre ndeshje të xhiros së 30-të në Ligën e Parë të futbollit në Maqedoninë e Veriut. Derbi në Strugë u mbyll pa fitues, me kampionët në fuqi dhe Shkëndijën që barazuan 1:1. Për Strugën rrjetën e gjeti Spirovski, teksa për kuqezinjtë realizoi Latifi. Ndërkohë, fitore ka marrë Besa e Dobërdollit përballë Brera Strumicës, duke triumfuar me rezultat 2:1 në një duel direkt për mbijetesë. Neziri dhe Stojanovski ishin autorët e golave për fitoren e Besës, teksa për skuadrën nga Strumica realizoi Gjorgievski. Në ndeshjet tjetër të kësaj xhiroje nuk kishte fitues ndërmjet Rabotniçkit dhe Sileksit, e cila sfidë u mbyll me barazim pa gola. Kujtojmë që pas tërheqjes të Gostivarit nga Liga e Parë, Pelisteri e ka fituar ndeshjen me rezultat zyrtar 3:0, njejtë si Tikveshi që e kishte në program duelin ndaj Voskës.