Sllovenia kundërshton dëbimin e detyruar të popullit palestinez
Ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon tha se palestinezët kanë të drejtë të kenë territoret e tyre dhe potencoi se kundërshtojnë dëbimin e detyruar të popullit palestinez, transmeton Anadolu.
Duke folur me gazetarët përpara Takimit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) në Bruksel, Fajon tha se ata e shohin thirrjen e presidentit amerikan Donald Trump për të dëbuar palestinezët nga tokat e tyre si “plotësisht të papranueshme”.
Fajon theksoi se vendi i saj e njeh Palestinën si shtet të pavarur. “Ne kundërshtojmë dëbimin e detyruar të popullit palestinez. Palestinezët kanë të drejtë të kenë territoret e tyre”, tha ajo.
Kryediplomatja sllovene tha se vendet e BE-së duhet të mbajnë qëndrim të qartë kundër zhvendosjes së palestinezëve ndërsa thirrjen e Trumpit e shohin si shkelje të ligjit ndërkombëtar.
– Trump bëri thirrje që palestinezët të vendosen në banesa që do të ndërtohen në vende të ndryshme
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka hedhur idenë për dëbimin e palestinezëve nga Gaza në vendet arabe, veçanërisht në Jordani dhe Egjipt.
Ai bëri thirrje që vendet në fjalë të pranojnë më shumë palestinezë për të “pastruar” Gazën dhe që ata të “vendosen në banesa që do të ndërtohen në vende të ndryshme”, duke thënë se kjo mund të jetë “e përkohshme” ose “afatgjate”.
Duke vënë në dukje se këtë çështje e ka biseduar në telefon me mbretin e Jordanisë, Abdullah II dhe se do të bisedojë edhe me presidentin egjiptian, Abdel Fattah el-Sisi, Trump deklaroi: “Unë preferoj të takohem me vendet arabe dhe të ndërtoj banesa në një vend tjetër ku (palestinezët) mund të jetojnë në paqe”.