Irani do të dërgojë delegacion në Zvicër për të kërkuar zbatimin e angazhimeve të SHBA-së për marrëveshjen
Ministria e Punëve të Jashtme e Iranit ka bërë të ditur se një delegacion iranian do të udhëtojë në Zvicër për të ndjekur nga afër dhe për të kërkuar zbatimin e angazhimeve të palës tjetër, tha të shtunën, transmeton Anadolu.
Siç raporton agjencia iraniane e lajmeve Fars, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Esmaeil Baghaei, tha se “në Zvicër do të kërkojmë zbatimin e angazhimeve të palës tjetër dhe do të përcaktojmë se si ata synojnë t’i përmbushin detyrimet e tyre”.
“Nëse një pjesë e angazhimeve të palës tjetër nuk zbatohet, i gjithë mirëkuptimi do të përballet me vështirësi”, tha Baghaei, duke shtuar se Washingtoni duhet të ndërmarrë masat e nevojshme sa më parë, “përndryshe rrezikon të vërë në pikëpyetje marrëveshjen”.
“Ne nuk e nënshkruam këtë angazhim që ai të mos zbatohet. Qasja jonë është angazhim për angazhim”, konfirmoi ai.
Zyrtari iranian paralajmëroi se Teherani do të përgjigjet “me masat e nevojshme” nëse “pala tjetër refuzon të përmbushë angazhimet e saj”.

