Sinqeriteti i Kloppit: Ja pse nuk më kanë shkarkuar ende

Sinqeriteti i Kloppit: Ja pse nuk më kanë shkarkuar ende

Liverpooli luan në transfertë me Chelsea-n këtë të martë sfidën e prapambetur që i përket javës së tretë. Blutë e Lodrës pësuan disfatë fundjavën që lamë pas në ndeshjen me Crystal Palace, çka solli largimin e Graham Potter. Në fakt, Potter nuk ishte i vetmi që hubi vendin e punës, pasi edhe Leicesteri shkarkoi Brendan Rogers.

Jurgen Klopp është trajneri më jetëgjatë në Premier League për momentin, dhe pavarësisht se sezoni nuk po shkon mirë (Liverpooli është i 8-ti me 42 pikë, klubi zgjodhi stabilitetin. Në lidhje me largimet e trajnerëve të sipërpërmendur, gjermani deklaroi:

“Çfarë mund te them? Unë jam ende këtu në këtë botë të çmendur. Njeriu i fundit në këmbë… Mendoj se të dy klubet nuk janë në pozicionet ku pritej të ishin. I njoh mirë ata (Potter dhe Rogers), më pëlqejnë të dy, janë njerëz të mirë, trajnerë të mëdhenj.

Ata që marrin vendimet mendojnë se gjërat duhet të ndryshojnë dhe ne duhet ta pranojmë. Ishte një javë e çuditshme: fillimisht Conte (Tottenham), më pas Nagelsmann (Bayern Munich) dhe tani këta të dy. Sezoni po shkon në një fazë vendimtare dhe njerëzit kanë frikë të mos i arrijnë objektivat e tyre”.

I ngacmuar nga fakti që edhe Liverpooli nuk ka marrë rezultatet e duhura, por ai është ende në detyrë, Klopp deklaroi:

“E di që jam ulur këtu për atë që kemi bërë në të kaluarën dhe jo për atë që kemi bërë këtë sezon, dhe nuk më pëlqen të flas për këtë.

Nëse ky do të ishte sezoni im i parë, gjërat mund të ishin ndryshe. Por ne kemi pronarë të zgjuar që e dinë situatën tonë. Më mirë pyesni ata. Nuk ka pse të kesh frikë. Ne jemi këtu për të marrë rezultatet, nuk jemi hajmali apo foto për t’i vendosur në mure”.

MARKETING