Sindikata e QSHP-së në takim me zëvendëskryeministrin Bytyqi

Sindikata e QSHP-së në takim me zëvendëskryeministrin Bytyqi

Sindikata e Qendrës Shtetërore të Provimeve (QSHP) pasdite në Qeveri do të ketë takim me zëvendëskryeministrin për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqin lidhur me kërkesën për paga më të larta për 29 punëtorët dhe pëlqimin për marrëveshjen e tyre kolektive, pasi kanë përfunduar pa marrëveshje takimet që kanë pasur me përfaqësues të Ministrisë së Financave.

Sindikata është në grevë prej 15 ditësh dhe i ka ndërprerë të gjitha proceset për të cilat është përgjegjës QSHP-ja, përfshirë edhe provimin e maturës shtetërore, që duhet të nisë më 27 maj. Dy ditë më parë sindikata i kërkoi MASH-it dhe Kulturës ndryshimin e kalendarit për provimet e jashtme pasi për shkak të grevës nuk do të arrijnë afatin e planifikuar për dy provimet eksterne, më 27 maj dhe 10 qershor.

Në konferencën e mëparshme kryetarja e sindikatës Emilija Boshkovska deklaroi se nga Ministria e Financave i është propozuar që zgjidhja të gjendet në Ligjin për nëpunësit administrativ, gjë që është e papranueshme për ta dhe besojnë se në këtë mënyrë pagat e tyre do të rriten vetëm për një mijë denarë.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri,nga ana tjetër, apeloi,që të mos vihet në dyshim dhënia e provimit përfundimtar, u rekomandoi të prisnin miratimin e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, me të cilën ndoshta siç tha ai do të kenë kushte më të mira se sa ajo që ua propozon Ministria e Financave.

Shaqiri dje në pjesëmarrjen në televizionin Sitel ishte decid se provimi shtetëror i maturës do të mbahet në datën e paraparë dhe ka bërë të ditur se për realizimin e tij nëse është e nevojshme do të përfshihen edhe punonjës nga MASH-i.

MARKETING