Gaza, foshnja 9-muajshe vdes nga i ftohti
Një foshnjë palestineze 9-muajshe ka ndërruar jetë si pasojë e të ftohtit në Rripin e Gazës, duke shënuar vdekjen e parë të regjistruar nga i ftohti në enklavë gjatë sezonit aktual të dimrit, njoftoi sot Ministria e Shëndetësisë, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të përcjellë nga Zyra e Medias në Gaza, ministria e identifikoi foshnjën si Kinan Ahmed Arqiq, duke bërë të ditur se ai ndërroi jetë pasi pësoi një rënie të theksuar të temperaturës trupore. Ministria njoftoi se foshnja u transferua të enjten nga Spitali Kuvajtian në Kompleksin Mjekësor Nasser, ku mbërriti pa shenja jete.
Ekzaminimi mjeko-ligjor konfirmoi se shkaku i vdekjes ishte hipotermia e rëndë, shtoi ministria. Sipas ministrisë, 10 persona kanë humbur jetën si pasojë e ekspozimit ndaj të ftohtit në Gaza gjatë sezonit dimëror të vitit 2025. Ky rast i fundit vjen në një kohë kur qindra mijëra palestinezë të zhvendosur përballen me përkeqësim të kushteve të jetesës, mes reshjeve të dendura të shiut, përmbytjeve dhe mungesës së strehimit të përshtatshëm.
Sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), reshjet e dendura të shiut midis 6 dhe 8 nëntorit shkaktuan përmbytje të përhapura në mbarë Gazën, duke dëmtuar mijëra tenda dhe strehimore të improvizuara.
Agjencia bëri të ditur se rreth 1.4 milionë njerëz ose 65 për qind e popullsisë së Gazës jetojnë në tenda ose strehimore të përkohshme.
Lufta gjenocidale e Izraelit e ka lënë pjesën më të madhe të Gazës në gërmadha, duke i detyruar familjet e zhvendosura të strehohen në tenda dhe ndërtesa të dëmtuara. Kufizimet izraelite mbi materialet për strehim dhe riparim vazhdojnë të pengojnë rimëkëmbjen, pavarësisht armëpushimit që është në fuqi që nga tetori i vitit 2025.

