Siljanovska-Parmelin: “Zvicra i jep rëndësi të madhe paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, e cilësoi vizitën e presidentit zviceran si historike, duke e vlerësuar mbështetjen e Zvicrës për vendin e saj, raporton Anadolu.
Në një konferencë të përbashkët për media pas takimit kokë më kokë dhe ndërdelegacional me presidentin Guy Parmelin, Siljanovska-Davkova tha se është hera e parë që një president zviceran zhvillon vizitë zyrtare në vend dhe e përshkroi takimin si “një ditë historike për vendin”.
Siljanovska-Davkova tha se prania e presidentit zviceran në Shkup tregon rëndësinë që Zvicra i kushton Ballkanit Perëndimor dhe përbën shtysë për marrëdhëniet dypalëshe. Ajo vlerësoi Zvicrën si një model në aspektin e demokracisë, duke përmendur kulturën e saj politike pjesëmarrëse, vetëqeverisjen lokale dhe demokracinë e drejtpërdrejtë.
Presidentja theksoi se Zvicra është shembull i një shteti federal shumëgjuhësh ku dallimet tejkalohen përmes dijes, kapaciteteve qytetare dhe funksionimit institucional.
Duke folur për bashkëpunimin, Siljanovska-Davkova tha: “Konstatuam se po bëjmë përparim në dialog, sepse do të thoshim se ai bazohet në respekt dhe synojmë të vazhdojmë në të njëjtën frymë, veçanërisht brenda OSBE-së, sepse në këto kohë të vështira, siç e dini, Zvicra ka marrë drejtimin në OSBE, por edhe në Kombet e Bashkuara si dhe në Këshillin e Evropës”.
Siljanovska-Davkova tha se Zvicra është një nga donatorët më të mëdhenj të vendit, me mbështetje të vazhdueshme për tre dekada në fusha si qeverisja demokratike, zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e mjedisit. Ajo veçoi mbështetjen për Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, përmes programeve që synojnë përmirësimin e procesit legjislativ, forcimin e funksionit mbikëqyrës dhe rritjen e transparencës.
Presidentja gjithashtu përmendi programin 2025–2028 dhe mbështetjen zvicerane për reformat e lidhura me integrimin evropian. Në fund, ajo tha se prioritet mbetet bashkëpunimi në arsim, shkencë, kulturë dhe sport si dhe procesi i integrimit evropian i vendit.
– “Zvicra i jep rëndësi të madhe paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”
Nga ana e tij, Parmelin e konfirmoi vizitën në Shkup si historike, duke i cilësuar si të fuqishme marrëdhëniet dhe bashkëpunimin midis dy vendeve. “Deri më tani, marrëdhëniet tona dypalëshe janë karakterizuar me Programin e Bashkëpunimit të Zvicrës dhe praninë e diasporës së fortë së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, e cila forcon diversitetin kulturor të vendit tim”, tha ai.
Parmelin tha se kushtet që lidhen me shkëmbimet ekonomike do të jenë tema kryesore e vizitës së tij në vend. Ai tha se në kuadër të takimit me homologen e tij, është nënvizuar rëndësia e sundimit të ligjit dhe efikasiteti i institucioneve, stabiliteti dhe parashikueshmëria.
“Zvicra i jep rëndësi të madhe paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Ky rajon është prioritet për politikën tonë të jashtme”, tha Parmelin duke shtuar se integrimi në Bashkimin Evropian mbetet faktor kyç për paqen dhe prosperitetin në këtë rajon.

