“Shqiptarët pa portier”, Osmani numëron tre arsyet se përse maqedonasit mendojnë se tani mund të rrëzojnë themelet e shtetit
Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani si dhe ish ministër për Eurointegrime, deklaroi se ajo të cilën e ka dëgjuar nga raportuesi i BE-së, për Maqedoninë, Tomas Weitz se Maqedonia ka bërë zero reforma, është me të vërtetë shqetësuese.
Ai tha se kjo është trishtuese dhe kjo sipas tij vërehet edhe në jetën e përditshme.
“Ju shiheni çfarë ndodhë nëpër institucione, shiheni ekonomia si ka kolabuar. Për herë të parë pas vitit 2010 kemi ikje të investitorëve të jashtëm, kompania amerikane është larguar, tjetra është gati, e dini çfarë mesazhi është kjo për çdo biznes i cili dëshiron të vjen dhe të hap vende pune”, tha Osmani, në emisionin “Debat në Shenja”.
Osmani tha se marrëdhëniet ndëretnike, izolimi ndërkombëtar, të gjitha këto e bëjnë shtetin “një shtet të dështuar”.
Osmani tha se në kohën kur ata kanë qenë në pushtet, shteti ka qenë epiqendër e diplomacisë rajonale e më gjerë është shndërruar në një oazë të izoluar në të cilën sipas tij, nuk shkel kush më.
Më tej Osmani, tha se, shqiptarët kanë nënshkruar një marrëveshje dhe nuk pranojnë statusin e qiraxhisë në këtë shtet.
Sipas tij, duket se maqedonasit asnjëherë nuk e kanë pranuar këtë marrëveshje dhe se kanë pritur momentin se kur do t’i rrënojnë ato themele, ndërsa numëroi edhe tre arsyet se përse maqedonasit vlerësojnë se tani është momenti për të rrënuar themelet.
“Një se janë konsoliduar politikisht, forcat politike maqedonase, nën dy se ajo që them unë se porta e shqiptarëve është pa portier, s’ka kush e mbron interesin shqiptarë atje, dhe nën tre zhvillimet botërore, defokusimi i SHBA-së me Iranin, Evropa me problemet e veta me Rusinë, edhe ata mendojnë se tash është një vakum që ne të sulmojmë, t’i rrënojmë themelet e barazisë”, deklaroi Osmani.

