Shqipëria, “gjithçka ose asgjë”, kundër Ukrainës
Barazimi me Çekinë, ndonëse nuk e lejoi Kombëtaren tonë të parakalonte këtë rival, e ka mbajtur në lojë sidoqoftë për vendin e parë, edhe pse jo gjithçka varet nga kuqezinjtë.
Përfaqësuesja jonë duhet të mundë me patjetër Ukrainën të martën në mbrëmje në Tiranë dhe të shpresojë që dueli Çeki-Gjeorgji të mbyllet në barazim.
Në rast se në Pragë fiton Gjeorgjia, atëherë suksesi i Shqipërisë kundër Ukrainës duhet të jetë goxha i thellë në mënyrë që të jemi mbi gjeorgjianët me golavarazh.
Skenar i vështirë renditja në vendin e parë, edhe pse matematikisht i mundur. Fillimisht duhet të mendojmë të fitojmë vetë pasi sikurse ëndërrojmë vendin e parë, rrezikojmë të dalim edhe të fundit në rast se mundemi.
Silvinjo duhet të vazhdojë t’i bëjë llogarite me disazgjedhje të cunguara në disa reparte, sikurse të gjithë presin të guxojë pak më shumë me emra të tjerë.
Në sulm rikthehet nga pezullimi Mirlind Daku që do të jetë titullar në vendin të Indrit Tucit.
Shqetësimi më i madh i momentit është mungesa e Jasir Asanit që la fushën e lojës në pjesën e parë kundër Çekisë i zëvendësuar nga Taulant Seferi.
Nuk dihet nëse kundër Ukrainës do të jetë pikërisht Seferi që do të zëvendësojë Asanin, apo do të ketë alternative të tjera sikurse Ernest Muci apo Arbër Hoxha duke llogaritur ndoshta edhe ndonjë spostim të mundshëm të Nedim Bajramit.
Shqetësim i vogël edhe për Kristjan Asllanin që kundër Çekisë nuk ka luajtur në 100% të formës fizike.
Në rastin më ekstrem se ai do të nisë nga stoli, për Silvinjon do të ishte e nevojshme të bënte ndryshime themelore në mesfushë, pse jo me Bajramin për të luajtur disa metra përpara Ramadanit dhe Qazim Laçit.
Ndoshta diçka më shumë në lidhje me emra të veçantë do të tregojë edhe stërvitja e fundit sot në stadiumin kombëtar, ku trajneri Silvinjo pritet të skicojë edhe formacionin anti-Ukrainë.
Këtë kundërshtar e mundëm 2 me 1 me përmbysje në muajin shtator në ndeshjen e luajtur në Pragë falë golave të Ismajlit dhe Asanit. Ndeshja do të gjykohet nga portugezi Zhoao Pineiro./vizionplus.tv