Shqipëri, vazhdon dërgimi i ndihmave në Türkiye për familjet e prekura nga tërmetet

Shqipëri, vazhdon dërgimi i ndihmave në Türkiye për familjet e prekura nga tërmetet

Nga Shqipëria drejt Türkiye-s vazhdon dërgimi i ndihmave të ndryshme për familjet e prekura nga tërmetet shkatërrimtarë të muajit shkurt, raporton Anadolu.

Një tjetër kamion me ndihma është nisur sot nga Tirana drejt Türkiye-s, të cilat janë mbledhur nga Shoqata e Diplomuarve në Türkiye e Shqipërisë (TÜMED), me mbështetjen e bizneseve të ndryshme turke dhe shqiptare dhe nën koordinimin e Ambasadës turke në Tiranë.

Gjatë nisjes së ndihmave nga Tirana të pranishëm ishin Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, kryetari i TÜMED-it, Egert Haxhiu, si dhe zyrtarë të tjerë të institucioneve turke në Shqipëri.

Në një deklaratë për Anadolu, ambasadori Atay tha se pas fatkeqësisë së tërmeteve vazhdon transportimi i ndihmave materiale dhe dërgimi i atyre monetare të mbledhura nga populli shqiptar dhe shoqatat.

Duke folur mbi dërgimin e ndihmave të mbledhura në Shqipëri, Atay tha se “Sot do përcjellim kamionin e dhjetë në Türkiye. Deri më sot kanë arritur në Türkiye afërsisht 70 tonë ndihma humanitare”.

Ai shprehu falënderime për ndihmat e tyre TÜMED-it, grupit të kërkim-shpëtimit nga Shqipëria, popullit vëllazëror të Shqipërisë, shtetit dhe qeverisë shqiptare dhe të gjithë atyre që kontribuan me çdo lloj ndihme, monetare dhe humanitare.

Ndihmat konsistojnë në produkte ushqimore, ngrohëse, batanije, rroba për mosha të ndryshme, materiale higjienike dhe materiale të tjera të ndryshme.

Nga Shqipëria drejt Türkiye-s janë nisur edhe më parë kamionë të tjerë me ndihma të mbledhura për familjet e prekura nga tërmetet në Türkiye.

MARKETING