Shoferi nga Strumica privohet nga liria pas aksidentit fatal, humb jetën 19-vjeçarja
Një 19-vjeçare ka humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku në afërsi të Strumicës, ndërsa drejtuesi i automjetit që dyshohet se ishte nën ndikimin e alkoolit është ndaluar nga policia.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, aksidenti ka ndodhur më 13 gusht, rreth orës 23:30, në rrugën kryesore pranë pikës kufitare Strumicë–Novo Sellë, në zonën e fshatit Tërnovë. Në aksident janë përfshirë një automjet „Seat Leon“, me targa të Strumicës, i drejtuar nga S.B. (29) nga Strumica, dhe një motoçikletë pa targa, e drejtuar nga A.D. (19) nga fshati Ilovicë.
Si pasojë e përplasjes, 19-vjeçarja K.J., e cila ishte pasagjere në motoçikletë, ka ndërruar jetë në vendngjarje nga plagët e marra. Vdekjen e saj e ka konstatuar ekipi i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore.
Drejtuesi i motoçikletës ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim në Qendrën Mjekësore të Strumicës.
Policia ka kryer testin e alkoolit ndaj drejtuesit të automjetit „Seat Leon“, ku është konstatuar prania e 1.75 promil alkool në gjak. Ai është ndaluar nga policia.
Nga kontrollet është konstatuar gjithashtu se drejtuesi i motoçikletës drejtonte një mjet të paregjistruar dhe nuk posedonte leje drejtimi.
Për shkak të aksidentit, trafiku në rrugën Strumicë–Vendkalimi Kufitar Novo Sellë, pranë Tërnovës, është ndërprerë në të dyja drejtimet nga mesnata deri në orën 02:30.
Me urdhër të prokurorit publik, trupi i viktimës është dërguar për autopsi. Hetimi për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit vijon.

