Shefja e BE-së në konak të shqiptarëve: Rama po punon fort për ëndrrën evropiane
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka nisur vizitën në Ballkanin Perëndimor nga Shqipëria.
Ajo u prit në Tiranë nga kryeministri Edi Rama, me të cilin zhvilloi një takim në Kryeministri.
Pas takimit, Von der Leyen tha se Shqipëria po punon për avancimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Ajo veçoi reformat në drejtësi dhe mjedis, por edhe rëndësinë e dialogut me shoqërinë.
“E kënaqur të nis vizitën time në Ballkanin Perëndimor nga Shqipëria. I dashur Edi Rama, ju po punoni fort për ta kthyer ëndrrën evropiane të Shqipërisë në realitet”, shkroi ajo.
Von der Leyen shtoi se përqendrimi te reformat është kyç për përmbushjen e synimit evropian të Shqipërisë.
“Qëllimi është në horizont. Kështu do ta arrijmë”, përfundoi ajo.

