SHBA-ja thotë se Ushtria kineze ka program të balonave të spiunazhit

Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së, John Kirby, ka folur për mjetet e paidentifikuara të cilat i kanë rrëzuar së fundi në Amerikën e Veriut.

Kirby në konferencë për media ka thënë se nuk dëshiron të futet në detaje, por thotë se është në gjendje të thotë se Kina ka një program të balonave të lartësive të mëdha të lidhura me Ushtrinë, raporton BBC.

Ai ka thënë se administrata e Donald Trumpit nuk e kishte vërejtur këtë, porse e ka vërejtur administrata e presidentit të tashëm të SHBA-së, Joe Biden.

Kirby ka thënë se SHBA-ja dhe Kanadaja po e kontrollon hapësirën ajrore më me kujdes, që nga futja e balonës kineze në hapësirën ajrore të SHBA-së.

Ai thotë se SHBA-ja nuk ka qenë në gjendje të identifikojë objektet, por ka thënë se ka vepruar si masë “për të mbrojtur interesin e shtetit, sigurinë e fluturimeve”.

Katër mjete fluturuese të paidentifikuara janë rrëzuar në hapësirën ajrore në Amerikë të Veriut.

Kirby ka thënë se mjetet janë rrëzuar pasi paraqisnin “një rrezik potencial të vërtetë” ndaj trafikut ajror civil.

Ai ka thënë se nuk mund ta përjashtojë mundësinë se objektet ishin duke vështruar infrastrukturën ushtarake.

Ndërkohë Kirby është pyetur nga gazetarët nëse SHBA-ja ka dërguar balona mbi Kinën.

“Ne nuk kemi dërguar balona monitorues mbi Kinën. Nuk kam informata se ndonjë mjet tjetër fluturues i yni fluturon mbi hapësirën ajrore kineze”, tha Kirby.

Në konferencë për media zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, në humor ka qartësuar se “nuk bëhet fjalë për ndonjë aktivitet të jashtëtokësorëve mbi Amerikën e Veriut”.

MARKETING