SHBA-ja ndryshon rregullat për marrjen e “Green Card” – çfarë duhet të dimë?
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka njoftuar një ndryshim të madh në politikën e emigracionit, duke kërkuar që personat që aplikojnë për “Green Card” (kartën e gjelbër) të largohen nga Shtetet e Bashkuara gjatë kohës së shqyrtimit të aplikimit të tyre.
Sipas rregullit të ri, të publikuar të premten nga autoritetet amerikane të emigracionit, aplikantët që kërkojnë qëndrim të përhershëm ligjor në SHBA nuk do të mund ta përfundojnë më procesin brenda territorit amerikan, përveç rasteve të jashtëzakonshme.
Ata do të duhet të kthehen në vendet e tyre të origjinës për të vazhduar procedurat dhe për të aplikuar për vizën përkatëse nëpërmjet ambasadave ose konsullatave amerikane.
Ky vendim pritet të prekë qindra mijëra emigrantë të ligjshëm që jetojnë dhe punojnë aktualisht në SHBA, pasi shumë prej tyre mund të detyrohen të largohen përkohësisht nga vendi, duke lënë pas familjet, vendet e punës dhe jetën që kanë ndërtuar atje, deri në përfundimin e procesit të aplikimit, i cili në shumë raste zgjat me muaj, madje edhe me vite.
Procesi për pajisjen me “Green Card” konsiderohet prej kohësh një nga procedurat më të ndërlikuara dhe më të gjata në sistemin amerikan të emigracionit, për shkak të verifikimeve të shumta, dokumentacionit të gjerë dhe kohës së gjatë të pritjes për shqyrtimin e aplikimeve.
Shërbimet Amerikane të Shtetësisë dhe Imigracionit kanë bërë të ditur se përjashtime nga ky rregull do të lejohen vetëm në “raste të jashtëzakonshme”. Sipas zyrtarëve amerikanë, masa e re synon të parandalojë qëndrimin e paligjshëm në SHBA në rastet kur aplikimet për qëndrim të përhershëm refuzohen.
Ndërkohë, të dhënat e Departamentit amerikan të Sigurisë Kombëtare tregojnë se gjatë vitit fiskal 2024, rreth 1.4 milion persona kanë marrë statusin e rezidentit të përhershëm ligjor në Shtetet e Bashkuara, raporton reuters.
Rregulli i ri ka nxitur reagime të forta politike dhe kritika nga avokatë të emigracionit, organizata për të drejtat e emigrantëve dhe ligjvënës demokratë.
Kritikët paralajmërojnë se kjo politikë mund të ndajë familje për periudha të gjata, të dëmtojë ekonominë amerikane dhe ta bëjë SHBA-në më pak tërheqëse për profesionistët e huaj, studiuesit dhe ekspertët e teknologjisë që synojnë të ndërtojnë karrierë në vend.
Administrata e Donald Trump e ka vendosur emigracionin në qendër të agjendës së saj që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë, duke ndërmarrë një sërë masash për të kufizuar emigracionin e paligjshëm, por edhe duke ashpërsuar disa forma të emigracionit të ligjshëm.
Ndër masat më të fundit përfshihen kufizime të reja për azilin, reduktimi i programeve të mbrojtjes së përkohshme, si dhe rishikimi i politikave për vizat e punës dhe ato studentore. Rregulli i ri për “Green Card” pritet të përballet me sfida ligjore në gjykatat amerikane gjatë ditëve dhe javëve në vijim.
Ndryshe, Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar se ka revokuar më shumë se 100 mijë viza që kur Trump mori detyrën si presidenti një vit më parë.

