Shasivari diskuton me eurokomisionerin McGrath reformat në drejtësi
Ministri i Drejtësisë i Maqedonisë së Veriut, Jeton Shasivari, ka zhvilluar një takim bilateral me Komisionerin Evropian për Drejtësinë, Michael McGrath, në kuadër të Forumit Ministror BE-Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme, që po mbahet në Budva, transmeton Anadolu.
Përmes një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale, Shasivari bëri të ditur se në takim ka riafirmuar përkushtimin e Maqedonisë së Veriut për avancimin e reformave në drejtësi dhe përafrimin e sistemit juridik me standardet evropiane.
Ai theksoi se procesi i integrimit evropian duhet të shoqërohet me rezultate konkrete dhe përfitime të prekshme për qytetarët.
Sipas tij gjatë takimit u diskutua për prioritetet kryesore të reformës në drejtësi, me theks të veçantë në forcimin e sundimit të ligjit, pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e kapaciteteve institucionale.
Shasivari e informoi eurokomisionerin McGrath për progresin në përgatitjen e Kodit Penal dhe Ligjit për Procedurën Penale, avancimin e reformës në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë, si dhe hapat e ndërmarrë për forcimin e pavarësisë financiare të gjyqësorit dhe prokurorisë.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte transformimi digjital i sistemit të drejtësisë, përmes Strategjisë së re të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) për periudhën 2027-2031, si dhe forcimi i mekanizmave për monitorimin e reformave dhe luftimin e korrupsionit.
Ai tha se rruga drejt BE-së kërkon përgjegjësi, rezultate dhe vendosmëri, duke riafirmuar përkushtimin e institucioneve të vendit për përshpejtimin e procesit të reformave me mbështetjen e partnerëve evropianë dhe në interes të qytetarëve.

