SHA EMV dhe Banka Botërore nënshkruan marrëveshje për grant për mega projektin për central të bashkëgjenerimit “KME Manastiri 1”
Një marrëveshje granti me vlerë 2,4 milionë dollarë për zbatimin e aktiviteteve përgatitore të centralit të kogjenerimit “KME Manastiri 1” u nënshkrua sot mes SHA EMV dhe Bankës Botërore, në ambientet e Qeverisë, në prani të kryeministrit Hristijan Mickoski.
Marrëveshja u firmos nga drejtori i përgjithshëm i SHA EMV, Llazo Uzunçev, dhe menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Karol Mezhevan. Sipas palëve, projekti përfaqëson një hap të rëndësishëm në procesin e tranzicionit energjetik dhe modernizimit të sektorit energjetik në vend.
Uzunçev deklaroi se fondet do të përdoren për përgatitjen e projektit të centralit kogjenerativ pranë REK “Bitola” dhe për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes në Manastir.
“Këto mjete do të mundësojnë realizimin e studimeve të nevojshme, përfshirë studimin e fizibilitetit, si dhe angazhimin e ekspertëve dhe konsulentëve ndërkombëtarë. Këto dokumente do të shërbejnë si bazë për shpalljen e një tenderi ndërkombëtar për projektimin dhe ndërtimin e centralit sipas standardeve më të larta ndërkombëtare”, tha ai.
Vlera e investimit të planifikuar tejkalon 200 milionë euro dhe projekti do të realizohet pranë kompleksit ekzistues të REK “Bitola”. Centrali i ri do të prodhojë njëkohësisht energji elektrike dhe termike, duke kontribuar në uljen e ndjeshme të emetimeve të dëmshme dhe në harmonizimin me standardet ekologjike vendore dhe evropiane.
Përveç mbështetjes së objektivave kombëtare për dekarbonizim, projekti pritet të sigurojë furnizim më të përballueshëm me energji termike për qytetarët e Manastirit dhe zonave përreth, si dhe të përmirësojë cilësinë e mjedisit jetësor në Rajonin e Pelagonisë.
Nga ana e tij, Mezhevan theksoi se projekti është në përputhje me synimet e vendit për integrim në politikat energjetike dhe klimatike evropiane.
“Zhvillimi i zgjidhjeve më të pastra energjetike, modernizimi i infrastrukturës dhe reduktimi i emetimeve janë elemente kyçe për ndërtimin e një sektori energjetik të qëndrueshëm dhe të përgatitur për të ardhmen”, deklaroi ai.

