Selami për Komisionin Anketues: Kërkojmë drejtësi për tragjeditë që na morën të dashurit
Sot në Parlament u miratua formimi i Komisionit Anketues për hetimin e katër tragjedive të rënda që tronditën vendin: zjarrin në Koçan, aksidentin e “Besa Trans”, aksidentin e “Durmo Turs” dhe tragjedinë e spitalit modular në Tetovë.
Lidhur me këtë vendim ka reaguar Abdulselam Selami, një nga familjarët e viktimave të këtyre ngjarjeve të dhimbshme, ku motra e tij humbi jetën në aksidentin me autobus në Bullgari. Ai e ka përshëndetur krijimin e komisionit, duke theksuar se familjet kërkojnë drejtësi, transparencë dhe përgjegjësi.
“Shpresojmë që ky komision të punojë me ndershmëri dhe të nxjerrë në pah të vërtetën. Ne kemi nevojë për përgjigje dhe drejtësi, sepse vetëm kështu zemrat tona mund të gjejnë qoftë edhe pak qetësi,” tha Selami.
Ai shtoi se drejtësia nuk i kthen jetët e humbura, por mungesa e saj e shton dhimbjen, ndërsa shprehu besimin se ky komision do t’i hapë rrugë zbardhjes së plotë të përgjegjësive.

