Rusia paralajmëron banorët e Kievit dhe përfaqësuesit e misioneve të huaja të largohen nga kryeqyteti ukrainas
Rusia paralajmëroi sot banorët e Kievit, përfshirë personelin diplomatik dhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare, që të largohen nga kryeqyteti ukrainas “sa më shpejt të jetë e mundur” dhe të shmangin objektet ushtarake dhe infrastrukturore administrative, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë në Telegram, Ministria e Jashtme ruse tha se Rusia do të kryejë “sulme sistematike” ndaj objekteve të lidhura me kompleksin ushtarako-industrial të Ukrainës në Kiev, pas asaj që e përshkroi si “sulm të përgjakshëm” ndaj një ndërtese akademike dhe konvikti në rajonin e Luhanskut të kontrolluar nga Rusia, ku humbën jetën 21 studentë.
“E gjithë kjo ka arritur pikën e shpërthimit”, thuhet në deklaratë.
Sipas deklaratës, sulmet do të synojnë objektet ku projektoren, prodhohen, programohen dhe përgatiten dronët për përdorim nga Ukraina “me ndihmën e specialistëve të NATO-s, përgjegjës për furnizimin me komponentë, ofrimin e inteligjencës dhe përcaktimin e objektivave”.
“Sulmet do të synojnë gjithashtu qendrat e vendimmarrjes dhe postet komanduese”, shtoi ministria.
Më herët të dielën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se katër persona u vranë dhe rreth 100 të tjerë u plagosën nga sulmet ruse gjatë natës, të cilat Moska tha se ishin përgjigje ndaj një sulmi ukrainas mbi një ndërtesë kolegji.
Sulmi erdhi pasi Moska deklaroi të premten se Ukraina goditi një ndërtesë kolegji dhe konvikt në qytetin Starobilsk, në pjesën e kontrolluar nga Rusia të rajonit Luhansk.
Autoritetet rajonale thanë se numri i viktimave nga sulmi u rrit në 21 pas përfundimit të operacioneve të kërkim-shpëtimit të dielën.
Ukraina i hodhi poshtë pretendimet e Rusisë, duke thënë se forcat e saj synojnë infrastrukturën ushtarake dhe objektet që përdoren për qëllime ushtarake, duke “respektuar në mënyrë strikte normat e së drejtës humanitare ndërkombëtare, ligjet dhe zakonet e luftës”.
Verifikimi i pavarur i pretendimeve mbetet i vështirë për shkak të luftës që vazhdon që nga viti 2022.

