Rusia hedh poshtë akuzat për destabilizim të Moldavisë

Rusia hedh poshtë akuzat për destabilizim të Moldavisë

Ministria e Jashtme e Rusisë tha sot se Moska “kundërshton ashpër insinuatat” në lidhje me pretendimet se synon të destabilizojë situatën politike në Moldavi, raporton Anadolu.

Në deklaratën e publikuar në faqen e internetit të ministrisë, thuhet se presidentja moldave Maya Sandu përdori një dredhi që e ka përdorur edhe Perëndimi dhe Ukraina, fillimisht citoi disa “informacione të mbyllura”, të pamundura për t’u verifikuar dhe bazuar në to justifikoi “veprimet e paligjshme” të saj.

Sipas ministrisë, “qëllimi i vërtetë” i Kievit, i cili “lançoi dezinformata” në lidhje me planin rus për të destabilizuar Moldavinë, është të përfshijë Kishinaun në një konfrontim të ashpër me Moskën.

“Nga ana tjetër, autoritetet moldave e konfirmuan këtë mashtrim në mënyrë që, duke përdorur mitin e kërcënimit rus, të largonin vëmendjen e qytetarëve moldavë nga problemet e brendshme të shkaktuara kryesisht nga kursi i dështuar socio-ekonomik i administratës aktuale, për të forcuar luftën kundër atyre që nuk kanë të njëjtin mendim dhe kundërshtarët politikë”, tha ministria.

Shërbimi diplomatik tha se kundërshtarët në Moldavi i janë nënshtruar persekutimit politik, duke lënë të kuptohet për çështjen penale të hapur kundër ish-presidentit moldav Igor Dodon, i akuzuar për lidhje me Rusinë.

“Hedhim poshtë fuqimisht insinuatat rreth pretendimeve se Rusia dëshiron të ‘trondisë’ situatën në Republikën e Moldavisë. Ndryshe nga vendet perëndimore dhe Ukraina, ne nuk ndërhyjmë në punët e brendshme të Moldavisë dhe vendeve të tjera të botës. Rusia nuk paraqet kërcënim për sigurinë e Republikës së Moldavisë dhe qëndron për zhvillimin e një bashkëpunimi dypalësh të dobishëm dhe të barabartë reciprok”, theksoi ministria.

Ajo u bëri thirrje autoriteteve moldave “të tregojnë maturi politike”, të kundërshtojnë provokimet e jashtme dhe të ndërtojnë kursin e saj bazuar në interesat e qytetarëve të Moldavisë, duke kuptuar “përparësitë e mëdha që mund t’i sjellin Moldavisë marrëdhëniet e qëndrueshme miqësore me Rusinë”.

Presidentja Sandu pretendoi të hënën se deklarata e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy rreth planeve të Rusisë për destabilizimin e Moldavisë u konfirmua nga institucionet shtetërore.

Ajo pretendoi se plani i supozuar i Rusisë përfshinte një grup njerëzish me trajnime ushtarake duke ndërmarrë veprime të dhunshme kundër ndërtesave qeveritare dhe duke marrë pengje.

Gjatë seancës së posaçme të Këshillit Evropian javën e kaluar, Zelenskyy tha se e kishte informuar Sandu për qëllimet ruse për të “minuar situatën politike në Moldavi”.

Të premten e kaluar, Natalia Gavrilita dha dorëheqje si kryeministre e vendit duke përmendur krizat e shkaktuara nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës.

Që nga fillimi i “operacionit special ushtarak” të Moskës shkurtin e kaluar, Moldavia është duke luftuar me inflacionin, çmimet e larta të energjisë dhe fluksin e refugjatëve.

MARKETING