Rusia: Bisedimet e paqes me Ukrainën mbeten pezull, pa “ide të reja”

Rusia: Bisedimet e paqes me Ukrainën mbeten pezull, pa “ide të reja”

Sipas Kremlinit, bisedimet e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës vazhdojnë të jenë pezull dhe nuk janë paraqitur “ide të reja” për këtë çështje, transmeton Anadolu.

MARKETING

Description of image

“Çështja e negociatave të paqes… po, kjo temë aktualisht është pezull dhe nuk ka ide të reja”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, teksa negociatat mbeten të bllokuara në një kohë kur Washingtoni është i përqendruar te lufta me Iranin.

Peskov tha se Ukraina është plotësisht në dijeni të kërkesave të Rusisë për përfundimin e luftës 4-vjeçare që po vazhdon, por akuzoi Kievin se nuk po kërkon ta zgjidhë konfliktin në mënyrë paqësore.

“Kjo është arsyeja pse ne vazhdojmë të sigurojmë një dinamikë të tillë pozitive në vijën e frontit”, tha Peskov, duke shtuar se veprimet ushtarake të Rusisë në Ukrainë vazhdojnë.

Moska dhe Kievi për herë të fundit zhvilluan negociata të paqes nën ndërmjetësimin e SHBA-së në fillim të këtij viti, kur mbajtën tre raunde bisedimesh më 23-24 janar, 4-5 shkurt dhe 17-18 shkurt. Dy raundet e para u zhvilluan në Abu Dhabi, ndërsa i treti u mbajt në Gjenevë.

Që atëherë negociatat janë ndërprerë, ndërsa Moska dhe Kievi ia kanë atribuar këtë ndërprerje përqendrimit të SHBA-së te Irani, që filloi në fund të shkurtit.

Peskov tha se nuk është planifikuar një bisedë telefonike mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe presidentit amerikan, Donald Trump, pas vizitës së drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), John Ratcliffe, në Moskë në fillim të kësaj jave.

Peskov gjithashtu tha se po zhvillohen përgatitjet për vizitën e presidentit Putin në kryeqytetin Bishkek të Kirgistanit, ku sipas tij, presidenti rus do të ketë një “agjendë shumë të ngjeshur”.

Duke theksuar se këshilltari presidencial rus, Yury Ushakov, do të mbajë një konferencë informuese për këtë çështje, Peskov tha se agjenda e Putinit do të përfshijë takime dypalëshe dhe çështje që lidhen me Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait (SCO).

Kryeqyteti i Kirgistanit do të presë samitin e fundit të SCO-së më 1 shtator, ndërsa organizata shënon 25-vjetorin e saj. Në takimin në Bishkek do të marrë pjesë edhe presidenti kinez, Xi Jinping, së bashku me krerë të tjerë shtetesh dhe qeverish.

MARKETING