Rubio: Trump propozoi zhvendosje të përkohshme të palestinezëve për rindërtim të Gazës
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dëshiron që palestinezët të largohen nga Gaza vetëm përkohësisht, përderisa ajo zonë të rindërtohet, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, të mërkurën.
Një ditë më parë, presidenti amerikan Trump nxiti regime të shumta kur propozoi, gjatë një takimi me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, që Shtetet e Bashkuara ta merrnin kontrollin e Gazës së shkatërruar nga lufta.
Ideja e Trumpit “nuk ishte menduar si armiqësore. Ajo ishte menduar, mendoj, si një lëvizje shumë bujare, një ofertë për të rindërtuar dhe për të qenë në krye të rindërtimit”, tha Rubio për gazetarët gjatë një vizite në Guatemala.
Trump ofroi një “gatishmëri të SHBA-së për të ndërhyrë, për të pastruar rrënojat, për të pastruar zonën nga gjithë shkatërrimi në terren, për ta pastruar nga të gjitha municionet e pashpërthyera”, tha Rubio.
“Dhe, gjatë kësaj kohe, njerëzit që jetojnë atje nuk do të mund të jetojnë atje përderisa ekipet e punës hyjnë dhe heqin mbeturinat”, shtoi ai.
Rubio tha se Trumpi dëshiron ta mbështesë “rindërtimin e shtëpive, bizneseve dhe gjërave të kësaj natyre, në mënyrë që më pas njerëzit të mund të kthehen”.
Një ditë më parë, Trump prezantoi planin, sipas të cilit, palestinezët e zhvendosur do të largoheshin nga Rripi i Gazës, duke i hapur rrugën SHBA-së për të marrë në pronësi këtë territor bregdetar dhe për ta zhvilluar ekonomikisht në një vend “fenomenal”, ku kombësi të ndryshme mund të jetojnë në paqe.