Rokas: Keni treguar kapacitet për zbatimin e reformave, sundimi i ligjit është kusht kyç për integrimin e suksesshëm evropian

Rokas: Keni treguar kapacitet për zbatimin e reformave, sundimi i ligjit është kusht kyç për integrimin e suksesshëm evropian

Ambasadori i Bashkimit Evropian  në vend, Mihalis Rokas, sot deklaroi se BE-ja mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe se nuk ka asnjë dyshim që vendi shihet si një anëtar i ardhshëm i Unionit.

MARKETING

Description of image

“Nuk duhet të keni asnjë dyshim se Komisioni Evropian është plotësisht i përkushtuar që ta shohë vendin tuaj si anëtar me të drejta të plota të BE-së”, tha Rokas, duke iu drejtuar një seance të Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane, kushtuar aspekteve kryesore të procesit të integrimit evropian.

Ai theksoi se procesi i zgjerimit është në zhvillim të plotë dhe se çdo ditë shënohen zhvillime të reja pozitive. Rokas theksoi se gjatë periudhës së kaluar janë mbajtur disa konferenca ndërqeveritare me Shqipërinë, Ukrainën, Moldavinë dhe Malin e Zi, gjatë të cilave janë hapur kapituj të rinj dhe janë mbyllur disa kapituj negociues. Sipas tij, kjo përbën një moment të ri në politikën e zgjerimit të BE-së, ndërsa veçanërisht i dukshëm është përparimi që po arrin Mali i Zi.

Duke iu referuar debateve në Bashkimin Evropian për zgjerimin, Rokas theksoi se janë analizuar edhe aspektet financiare të procesit. Ai vuri në dukje se, sipas një studimi të përgatitur për rastin e Malit të Zi, kostot e zgjerimit do të ishin më pak se një euro në ditë për qytetar, gjë që, sipas tij, tregon se procesi është financiarisht i qëndrueshëm.

Duke iu referuar vendit, Rokas vlerësoi se ai ka treguar kapacitet për zbatimin e reformave. Ai përshëndeti punën e Kuvendit dhe miratimin e disa ligjeve, duke shtuar se, me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Evropian, institucionet mund të përgatiten me sukses për anëtarësimin në Union.

Ai theksoi se ekzistojnë tri fusha kryesore në të cilat vendi duhet të mbetet i përkushtuar, ndërsa njëra prej tyre është sundimi i ligjit. Rokas nënvizoi se në këto fusha nuk mund të ketë kompromis, pasi ato janë kriteret themelore mbi të cilat bazohet procesi i anëtarësimit.

Ai theksoi se sundimi i ligjit do të mbetet kriteri kryesor sipas të cilit do të vlerësohet përparimi i çdo vendi kandidat, ndërsa krahas reformave ligjore, është e nevojshme, siç tha ai, të sigurohet një administratë publike profesionale dhe efikase, si dhe të plotësohen pozitat e lira në sistemin gjyqësor.

Rokas theksoi se është veçanërisht e rëndësishme që gjyqësori të forcohet në aspektin e personelit dhe financave dhe të jetë i lirë nga ndikimi politik. Buxheti, tha ai, duhet të sigurojë mjete të mjaftueshme për funksionimin e tij pa pengesa, pasi një gjyqësor efikas dhe i pavarur përbën një kusht kyç për integrimin e suksesshëm evropian.

Në raportet e BE-së, theksoi ambasadori evropian, mund të vërehet një vlerësim pozitiv për disa fusha dhe shtoi se partitë politike po tregojnë një qasje konstruktive dhe se ekziston një atmosferë e mirë demokratike.

Megjithatë, shtoi Rokas, nevojiten vullnet i përbashkët politik dhe shumë punë për të arritur objektivat e vendosura.

Në lidhje me kornizën e ardhshme shumëvjeçare financiare të BE-së, Rokas tha se aktualisht është herët të flitet për ndarjet konkrete të fondeve. Ai theksoi se po punohet për arritjen e një marrëveshjeje deri në fund të vitit dhe se Unioni do të ketë në dispozicion instrumente financiare fleksibile, duke synuar që asnjë vend të mos mbetet pa mbështetje të përshtatshme. Njëkohësisht, ai njoftoi se instrumentet e deritanishme, si fondet IPA në formën e tyre aktuale, do të zëvendësohen me mekanizma të rinj për mbështetje financiare.

Në fund të fjalimit të tij, Rokas deklaroi se BE-ja do të vazhdojë të punojë intensivisht me vendin për ta përgatitur atë që të nisë negociatat e anëtarësimit. Ai theksoi se për përparim do të jenë të nevojshëm konsensusi politik, reformat e vazhdueshme dhe përkushtimi i plotë ndaj sundimit të ligjit si vlera themelore evropiane.

 

MARKETING