Rexhepi: “Jeni vetëm për kolltukë”, Sulejmani: “Në kohën tuaj rriheshin shqiptarët”
Në emisionin Debat në Shenja, pati një përplasje të fortë mes Sekretarit Organizativ të Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Nebi Rexhepi, dhe përfaqësuesit të VLEN-it, Driton Sulejmani, të cilët shkëmbyen akuza lidhur me pozitën e shqiptarëve në qeveri, kredinë hungareze dhe zhvillimet politike në vend.
Rexhepi akuzoi përfaqësuesit e VLEN-it se po justifikojnë dështimet aktuale duke iu referuar vazhdimisht të kaluarës, ndërsa kërkoi më shumë veprim konkret nga qeveria.
“Duhet t’i përveshni duart nëse keni fuqi. Nuk mund të thirreni vazhdimisht në të kaluarën dhe të mbuloni dështimet që ndodhin dita-ditës”, deklaroi Rexhepi.
Ai përmendi disa raste që, sipas tij, kanë dëmtuar pozitën e shqiptarëve, duke përfshirë thirrje fyese ndaj shqiptarëve, përdhosjen e flamurit kombëtar dhe avancimin e një polici që kishte qenë në qendër të kritikave publike.
“Aty ku jeni të ulur nuk ju pyet askush, nuk ju këshillon askush. Ju jeni për të mbushur kolltukët, jo për të përfaqësuar”, tha Rexhepi, duke iu drejtuar Sulejmanit.
Debati u tensionua edhe rreth shpërndarjes së mjeteve nga kredia hungareze. Rexhepi kërkoi të dijë se cila kompani shqiptare ka përfituar nga këto fonde, duke pretenduar se në të dhënat publike nuk figuron asnjë kompani shqiptare përfituese.
“Ma përmendni një emër. Në të dhënat nuk figuron asnjë kompani shqiptare”, deklaroi ai.
Nga ana tjetër, Sulejmani u përgjigj se investime dhe mjete janë ndarë në komunat shqiptare dhe insistoi se ka kompani shqiptare që kanë përfituar nga këto fonde.
“Po ata janë kompani shqiptare”, tha Sulejmani, duke kundërshtuar pretendimet e Rexhepit.
Përplasja vazhdoi edhe me akuza për periudhat e kaluara të qeverisjes. Sulejmani akuzoi BDI-në se gjatë kohës kur ishte në pushtet kanë ndodhur incidente të shumta ndaj shqiptarëve.
“Në kohën tuaj kanë ndodhur shumë brohoritje. Shqiptarët nuk kanë mundur të kalojnë Urën e Gurit, janë rrahur në vazhdimësi nga komitët”, deklaroi ai.
Rexhepi reagoi menjëherë, duke kundërshtuar periudhën që përmendi Sulejmani.
“Për cilën periudhë po flisni? Kjo që thoni ju është para vitit 2001”, u përgjigj Rexhepi.
Sulejmani vazhdoi me akuzat, duke përmendur raste të sulmeve ndaj nxënësve dhe dëmtimit të pronave, ndërsa debati mes dy përfaqësuesve politikë u karakterizua nga replika të shumta dhe akuza reciproke për përgjegjësinë ndaj çështjeve që prekin shqiptarët në vend.

