Kurti: Kosova, i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat në BE
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga Bashkimi Evropian (BE) që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe të hapen negociatat për anëtarësim, gjatë Samitit të Liderëve në kuadër të Planit të Rritjes në Tiranë, transmeton Anadolu.
Zyra e Kryeministrit njoftoi se Kurti ka theksuar se Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat në BE, ndonëse sipas tij, ka shënuar përparim të konsiderueshëm në demokraci dhe reforma.
“Rusia është në kërkim të çarjeve. Momentin për zgjerim duhet ta shfrytëzojmë për t’i mbyllur ato në Ballkan, i vetmi gadishull jugor i Evropës që ende nuk është plotësisht në Bashkim, e posaçërisht në Kosovë, i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që ende nuk e ka statusin e kandidatit. Një proces i bazuar në meritë duhet të na japë mundësinë të vlerësohemi; përndryshe, historia e suksesit tonë demokratik rrezikon të kthehet në histori të një mundësie të humbur”, tha Kurti.
Ai kërkoi që Këshilli i BE-së t’i kërkojë Komisionit Evropian opinionin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, duke theksuar se muajin e ardhshëm bëhen katër vjet nga dorëzimi i aplikimit.
Duke folur për zhvillimet ekonomike, Kurti tha se rritja ekonomike e Kosovës ishte 4.7 për qind në gjysmën e parë të këtij viti ndërsa investimet private në vitin 2025 ishin 77 për qind më të larta krahasuar me vitin 2021, derisa tha se papunësia në vend ka rënë nga 26 në 11 për qind.
Kurti kërkoi gjithashtu përfshirjen e Kosovës në mekanizmat evropianë të standardizimit dhe tranzitit të përbashkët si dhe integrimin e projekteve hekurudhore të vendit në Rrjetin Trans-Evropian të Transportit.
Duke folur për bashkëpunimin rajonal, kryeministri kosovar kritikoi pengesat në zbatimin e marrëveshjeve të mobilitetit dhe tregtisë, duke theksuar se Serbia ende nuk i njeh diplomat e Kosovës dhe vazhdon të bllokojë interkoneksionin elektrik Kosovë-Serbi.

