Raport alarmues: 508 raste të abuzimit seksual ndaj fëmijëve në 5 vjet

Raport alarmues: 508 raste të abuzimit seksual ndaj fëmijëve në 5 vjet

Në periudhën 2020–2024, në vend janë regjistruar 508 raste të abuzimit seksual ndaj fëmijëve, ndërsa sistemi i mbrojtjes së viktimave është vlerësuar se ka reaguar në mënyrë të fragmentuar dhe jo gjithmonë në kohë, duke kontribuar në raste të viktimizimit dytësor. Këto janë gjetjet e analizës më të fundit të Avokatit të Popullit.

Të dhënat u prezantuan sot nga zëvendësavokatja e Popullit, Vaska Bajramovska-Mustafa, e cila bëri të ditur se nga viktimat e regjistruara gjatë kësaj periudhe, 455 janë vajza dhe 53 janë djem.

Sipas analizës, pjesa më e madhe e rasteve lidhen me vepra të rënda penale, përfshirë 186 raste të përdhunimit të fëmijëve nën moshën 15 vjeç, 99 raste të sulmit seksual dhe përdhunimit, si dhe 196 raste të bashkëjetesës së paligjshme me të mitur.

Ajo paralajmëroi se trendi shqetësues vazhdon edhe në vitin 2025, kur janë regjistruar 96 fëmijë të tjerë viktima të krimeve kundër lirisë seksuale dhe moralit, ku shumica dërrmuese janë vajza. Mbi 57% e viktimave janë të moshës 11–15 vjeç, por janë evidentuar edhe raste te fëmijët nën 10 vjeç, madje edhe nën 3 vjeç.

“Pavarësisht ekzistencës së një kuadri ligjor dhe strategjik, sistemi nuk siguron mbështetje të qëndrueshme, të koordinuar dhe në kohë, në përputhje me interesin më të mirë të fëmijës,” u theksua në raport.

Në analizë evidentohen gjithashtu dobësi serioze institucionale: mungesë koordinimi mes institucioneve, marrje e përsëritur në pyetje e fëmijëve viktima në kundërshtim me parimin e intervistës së vetme, si dhe mungesë hapësirash dhe stafit të trajnuar në qendrat e punës sociale.

Po ashtu, procedurat gjyqësore shpesh zgjasin deri në dy vjet, ndërsa mekanizmat e kompensimit mbeten pothuajse jofunksionalë, me vetëm pak raste të paraqitura që nuk kanë sjellë mbështetje reale për viktimat.

MARKETING