Rafis Aliti: Gjykata e Hagës është marrë me gjithçka, përveç me drejtësi
Ish-komandanti i UÇK-së, Rafis Aliti, në emisionin “Debat në Sheja”, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë, duke e cilësuar atë si një vendim që, sipas tij, është i motivuar politikisht.
Duke folur për mënyrën se si e ka pritur vendimin e Gjykatës së Hagës, Aliti tha se ka qenë ndër personat që ka reaguar edhe më herët për themelimin e kësaj gjykate.
“Unë do të them, jam një ndër të parët që kam reaguar edhe për themelimin e kësaj Gjykate, edhe për vendimin që ka marrë”, deklaroi Aliti.
Sipas tij, Gjykata është krijuar me motive politike dhe, siç pretendoi ai, është përkrahur nga shtete dhe struktura të ndryshme, duke përmendur Serbinë dhe Rusinë.
Aliti iu referua edhe akuzave të ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, të cilat i cilësoi si shumë të forta dhe që, sipas tij, ndikuan në krijimin e kësaj gjykate.
“Dick Marty bëri akuza shumë të forta atëherë që sollën edhe krijimin e kësaj Gjykate”, tha Aliti.
Duke folur për akuzat për trafikim organesh, Aliti i hodhi poshtë ato, duke thënë se luftëtarët shqiptarë, sipas tij, nuk kishin as kushtet elementare për trajtimin e plagëve.
“Luftëtarët tanë nuk kanë pasur fasha të lidhin plagët e veta, e jo më të trafikojnë organe”, u shpreh ai.
Në fund, Aliti e përmblodhi qëndrimin e tij me një vlerësim të ashpër ndaj vendimit dhe institucionit gjyqësor.
“Unë do të them atë që e thotë populli: vendim skandaloz, gjykatë e turpit. Kjo gjykatë me gjithçka është marrë, përveç me drejtësi”, deklaroi Aliti.

