Rade Trajkovski-Shtekli dënohet me tetë vjet burg
Gjykata Themelore Penale në Shkup ka shpallur sot vendimin për një rast të rëndësishëm të trafikimit të drogës, duke dënuar Rade Trajkovski, i njohur si “Shtekli”, me tetë vjet burg për organizim të një grupi kriminal.
Sipas vendimit të këshillit gjyqësor, Trajkovski ka udhëhequr një rrjet të përfshirë në shpërndarjen e kokainës dhe marihuanës. Përveç tij, dënime u shqiptuan edhe për disa të akuzuar të tjerë në këtë rast: Stefan Kitanov dhe Aleksandar Buçevski u dënuan me nga pesë vjet burg secili, ndërsa Filip Tanevski mori gjithashtu pesë vjet burg. Ndërkohë, Stojan Millanov u dënua me tre vjet e dhjetë muaj burg.
Gjykatësi Ilija Trpkov theksoi se procedura gjyqësore është zhvilluar në mënyrë efikase dhe pa vonesa, duke përfunduar brenda nëntë muajve me një proces të pandërprerë.
Ky vendim konsiderohet si përmbyllje e një prej rasteve më të rëndësishme të kohëve të fundit në luftën kundër trafikimit të drogës. Palët e përfshira kanë të drejtë ankese ndaj vendimit.

