Qyteti i Shkupit ndan 1.2 milionë denarë për Venezuelën pas tërmetit shkatërrues
Qyteti i Shkupit ka ndarë 1.200.000 denarë ndihmë financiare për të mbështetur Venezuelën në përballimin e pasojave të tërmetit shkatërrues që goditi vendin, ka njoftuar kryetari i qytetit, Orce Gjorgievski.
Sipas tij, ky vendim është një shprehje mirënjohjeje dhe solidariteti, duke kujtuar ndihmën që Venezuela i dha Shkupit pas tërmetit katastrofik të vitit 1963.
“Shkupi e di shumë mirë se çfarë do të thotë dhimbja pas një tërmeti shkatërrues. Qyteti ynë e mban atë plagë thellë në historinë e tij, por edhe mesazhin se në momentet më të vështira duhet të triumfojë solidariteti njerëzor. Pas tërmetit të vitit 1963, Shkupi nuk mbeti vetëm. Bota i zgjati dorën dhe ndër vendet e para që na mbështetën me ndihmë dhe solidaritet ishte Venezuela. Shkupi nuk e harron këtë”, theksoi Gjorgievski.
Ai shtoi se sot, kur Venezuela po përballet me pasojat e një fatkeqësie natyrore, Shkupi po i përgjigjet me humanizëm, respekt dhe mbështetje.
Gjorgievski shprehu gjithashtu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave dhe u uroi shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve.
“Mendimet tona janë me të gjithë qytetarët që po kalojnë këto momente të vështira. Shkupi u rindërtua falë solidaritetit të botës, ku një kontribut të rëndësishëm dha edhe Venezuela. Pikërisht ky solidaritet e bëri Shkupin qytetin botëror që është sot”, shkroi ai.

