“Qytetarët” shpëtojnë në fund, City e Arsenal mbyllin në paqe sfidën në “Etihad”
Ishte një duel i drejtpërdrejtë mes dy rivalëve kryesorë për fitimin e titullit kampion, të Premier League.
“Topçinjtë” e Arsenal kanë treguar se jo më kot prej tre sezonesh tashmë janë ndër favoritët për triumfin e madh në elitën angleze, teksa mbrëmjen e kësaj të diele regjistruan një tjetër rezultat të madh ndaj kampionëve në fuqi, të Manchester City.
Pavarësisht se ishin me 10 lojtarë në fushë, që prej fundit të pjesë së parë, “Topçinjtë” e Mikel Arteta treguan karakter, duke mos lënë vendasit të dërgojnë topin në rrjetën e tyre.
Goli i parë i sfidës erdhi që në minutën e 9’-të, me “bomberin” norvegjez, Erling Haaland, që dërgoi në portë një asist të Savinho, duke shënuar golin e 10 të sezonit, por më kot, pas rrjetat e Clafiori e Gabriel përmbysën gjithçka që në fraksionin e parë të sfidës, duke i dhënë “londinezëve” frerët e lojës, deri në minutën e 98’-të, kur erdhi goli i barazimit nga John Stones.
Ndikim të madh në lojën e Manchester City pati edhe largimi i Rodri, që në minutën e 21’-të, pas një dëmtimi të shpejtë, teksa mungesë e madhe për teknikun Pep Guardiola ishte edhe “ylli” belg, Kevin De Bruyne.