QMK: Zjarri mbi fshatin Bojanë pjesërisht nën kontroll, nesër pritet ndërhyrje nga ajri
Zjarri që shpërtheu gjatë ditës së sotme mbi fshatin Bojanë, në zonën e Malit të Thatë, është pjesërisht nën kontroll. Flakët janë përhapur nga drejtimi i Jegunovcës, ndërsa në terren vijon angazhimi i ekipeve zjarrfikëse nga Shkupi dhe Tetova.
Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali, po qëndron në terren dhe po koordinon aktivitetet me ekipet e angazhuara dhe institucionet kompetente.
Sipas QMK-së, për momentin zjarri nuk paraqet rrezik për vendbanimet. Ekipet në terren po vazhdojnë punën për lokalizimin dhe shuarjen e plotë të zjarrit.
Për nesër është planifikuar edhe ndërhyrje nga ajri, me qëllim përballimin më efikas të vatrave të zjarrit.
Qendra për Menaxhim me Kriza njofton se mbetet në koordinim të vazhdueshëm me shërbimet kompetente për sigurimin e kapaciteteve të nevojshme dhe menaxhimin e situatës.

