PSG nuk fal në shtëpi, Messi i dhuron suksesin përballë Toulouse

PSG nuk fal në shtëpi, Messi i dhuron suksesin përballë Toulouse

Edhe pse me një listë të gjatë mungesash ku binin në sy ato të Mbappe e Neymar, PSG nuk gaboi në shtëpi teksa fitoi me shifrat 2-1 ndaj Toulouse. Në fakt, skuadra e drejtuar nga Christophe Galtier ia vështirësoi detyrën vetes teksa u ndëshkua në minutën e 20-të nga ana e Van De Boomen.

Megjithatë, reagimi erdhi brenda pjesës së parë me anë të Achraf Hakimit që realizoi një gol mjaft të bukur nga një aksion individual. Në fraksionin e dytë, kryeqytetasit këmbëngulën për të shënuar edhe golin e avantazhit të cilin e gjetën falë një goditje në hyrje të zonës nga Lionel Messi në minutën e 58-të.

Argjentinasi kalibroi të majtën duke e dërguar topin në një kënd ku portieri Dupe e kishte të pamundur për të mbërritur.

Deri në fund, rezultati nuk ndryshoi me PSG që regjistroi suksesin e dytë radhazi në kampionat dhe udhëheq e qetë Ligue 1 me 54 pikë. Nga ana tjetër, Toulouse rikthehet te disfata pas dy fitoreve radhazi dhe mbetet në vendin e 12-të me 29 pikë.

MARKETING