Pse Shkupi e mundi Shkëndijën? Shihni statistikat e futbollistëve të Shkupit!

Pse Shkupi e mundi Shkëndijën? Shihni statistikat e futbollistëve të Shkupit!

Nëse mesatarja e vrapimit të ekipit është 9.75 km, ndërsa mbrojtësi i qendrës Xhelil Abdulla ka kompletuar 10.65 km, kuptohet qartë pse Shkupi dje ishte më lartë se Shkëndija.

Të dielën në Kërçovë u zhvillua derbi i madh i futbollit të Maqedonisë së Veriut. Shkupi dhe Shkëndija u ndeshën në xhiron e 19-të, të parën në gjysmësezonin pranveror. Dueli u luajt në Kërçovë shkaku i pezullimit të terrenit të skuadrës nga Çairi, derisa një ndeshje të luftuar Shkupi menaxhoi ta fitonte 2:0.

Realisht kampionët në fuqi triumfuan me meritë, mirëpo nuk është se Shkëndija nuk pati momentet e saj. Një super mundësi e Milevit në rezultat 0:0, pastaj Hasani ishte i vetmuar para portierit Naumovski në 1:0, derisa në pjesën e dytë korniza e portës shpëtoi Shkupin pas shansit të Hasanit. Një gol në rrjetën e “vendasve” realisht mund të kishte ndryshuar shumë gjëra!?

Por cili ishte dallimi deçiziv dje ndërmjet Shkupit dhe Shkëndijës?!

Kalojmë me fakte! Pas ndeshjes trajneri i Shkëndijës deklaroi se agresiviteti i lojtarëve të Shkupit ishte në nivel më të lartë gjatë 90-të minutave dhe konstatimin e Qatip Osmanit tashmë e konfirmojnë edhe statistikat.

Matjetet e sakta tregojnë se mesatarja e kilometrave të vrapuara te Shkupi ishte 9.75 kilometra. Queven da Silva me 12.08 km ishte lojtari me distancën më të madhe të përshkuar, derisa jo larg prapa tij qëndron Walid Hamidi me 11.76 km. Gjashtë futbollistë të Shkupit nga formacioni titullar kanë kaluar kufirin e 10 km të vrapuara, derisa vetëm për ilustrim të grintës së Shkupit ju sjellim faktin se mbrojtësi i qendrës, Xhelil Abdulla dje kundër Shkëndijës ka vrapuar 10.65 kilometra.

Përveç këtyre fakteve, te Shkupi ishin më lartë edhe te vrapimet e shpejta (sprint), pasi Hamidi (1.523.17 m), Queven (1.508.34 m), Adetunxhi (1.249.44 m), Danfa (1.152.55 m) e të tjerët kanë sprintuar në nivel goxha të kënaqshëm.

MARKETING