Protestat në Serbi, studentët dhe qytetarët vazhdojnë me bllokimin e trafikut
Qytetarë në disa qytete të Serbisë kanë ndaluar sot për 15 minuta për të nderuar të vdekurit në incidentin tragjik në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në fillim të nëntorit, transmeton Anadolu.
Aksioni “Ndalo, Serbi, qëndro me studentët”, është mbajtur edhe në disa lokacione në Beograd, ku është bllokuar trafiku, duke përfshirë pranë Fakultetit Juridik, Fakultetit të Shkencave Organizative, Odës së Avokatëve të Serbisë dhe Beogradit, si dhe në disa rrugë të tjera.
Përballë Fakultetit Juridik, ka ndodhur një incident kur një veturë ka tentuar të kalojë, pavarësisht bllokadës, dhe është përplasur me një automjet tjetër.
Pas një heshtjeje prej 15 minutash, policia u bëri thirrje qytetarëve që të largohen nga rruga dhe të dalin në trotuar, në mënyrë që qarkullimi të mundësohet sërish.
Qytetarë janë mbledhur edhe para ndërtesës së Rektoratit të Universitetit të Beogradit. Në tubim ishin të pranishëm edhe policë me rroba civile.
Në aksionet “Ndalo, Serbi”, të cilat mbahen pothuajse çdo ditë në mbarë vendin, studentët dhe qytetarët bllokojnë rrugët për 15 minuta për të nderuar 15 personat që humbën jetën në incidentin në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor.
Aksionet nisin simbolikisht në orën 11:52, kohë kur u shemb një pjesë e stacionit hekurudhor.