Promovohet gjenerata e dymbëdhjetë e bursistëve nga Fondacioni Albiz

Promovohet gjenerata e dymbëdhjetë e bursistëve nga Fondacioni Albiz

Dje në godinën e Filarmonisë së Maqedonisë së Veriut, në Shkup, Fondacioni për Zhvillimin e Arsimit dhe Kulturës Albiz promovoi gjeneratën e dymbëdhjetë të bursistëve.

Gjatë evenimentit, në prani të përfaqësuesve të institucioneve, donatorëve, kompanive private, bashkëpunëtorëve, studentëve dhe mysafirëve të shumtë u ndanë 175 bursa për studentë për vitin akademik 2022/2023. Po ashtu, risi këtë vit, ishte edhe ndarja e çmimeve, me vlerë prej 1000 euro, për 10 studentët më të mirë nga universitetet në vend, të cilët kanë diplomuar me notë më të lartë se 9.5 gjatë vitit 2022. Programi “Bursa për studentë” kap vlerën prej 130,000 euro.

Besir Dernjani, drejtori ekzekutiv i Fondacionit Albiz mes tjerash tha se “Fondacioni Albiz jo vetëm që e promovon përgjegjësinë korporative dhe filantropinë, por me përkushtimin tonë kemi arritur t’i inspirojmë dhe motivojmë edhe të tjerët, që ky koncept të shihet si bazë për zhvillimin e shoqërisë që t’ju bëjë ballë fenomeneve të ndryshe me të cilat përballet shoqëria”.

Të pranishmit i përshëndeti edhe Fatmir Bytyqi, zëvendëskryetar i Qeverisë për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investime, i cili tha se shembullin e kompanive, donatorë të Fondacionit Albiz, duhet ta ndjekin edhe kompanitë tjera për të investuar në shoqëri. Përgjegjësia shoqërore sjell mundësi për zhvillim dhe të ardhme më të mirë për të rinjtë. Fjalë rasti patën edhe Taip Jakupi, nga kompania Sarp, në emër të Këshillit të donatorëve të Fondacionit Albiz dhe Mendi Qyra, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore.

 

MARKETING