Prokuroria hap lëndë për ndotjen me mbeturina pranë burimeve të Rashçes
Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka hapur lëndë për të verifikuar informacionet lidhur me ndotjen e madhe të mjedisit me mbeturina në zonën e mbrojtur pranë burimeve të Rashçes.
Nga PTHP Shkup bëjnë të ditur se një prokuror publik kompetent do të koordinojë aktivitetet e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe shërbimeve kompetente të inspektimit, me qëllim kryerjen e kontrolleve për të përcaktuar origjinën e deponisë dhe pasojat e mundshme që ajo mund të ketë shkaktuar në mjedis.
“Një prokuror publik kompetent do të koordinojë aktivitetet e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe shërbimeve kompetente të inspektimit me qëllim kryerjen e kontrolleve në lidhje me origjinën e deponisë, si dhe pasojat e mundshme”, njoftojnë nga Prokuroria.
Nga aty shtojnë se, nëse gjatë verifikimeve konstatohen elemente të ndonjë vepre penale kundër mjedisit dhe identifikohen autorët, Prokuroria Publike do të ndërmarrë veprimet përkatëse në përputhje me kompetencat e saj për ndjekje penale.
Hetimet do të duhet të përcaktojnë si është krijuar deponia, kush qëndron pas hedhjes së mbeturinave dhe nëse është shkaktuar dëm ndaj zonës së mbrojtur pranë burimeve të Rashçes.

