Procedurë hetimore dhe paraburgim për djalin i cili dyshohet se vrau babanë e tij
Prokuroria Themelore Publike Shkup ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj një 30-vjeçari, i cili dyshohet për veprën penale “Vrasje”, sipas nenit 123, paragrafi 2, pika 2 të Kodit Penal.
Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 12 korrik, kur i dyshuari, pas një konflikti familjar, dyshohet se i ka marrë jetën babait të tij.
Sipas dyshimeve fillestare, në shtëpinë e familjes kishte shpërthyer një grindje dhe përplasje fizike mes babait dhe nënës së të dyshuarit. Më pas, 30-vjeçari kishte marrë një thikë dhe e kishte sulmuar babanë në oborrin e shtëpisë, duke i shkaktuar më shumë se 30 plagë me thikë në pjesën e qafës dhe gjoksit.
Si pasojë e plagëve të marra, viktima ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Prokuroria njofton se gjatë hetimit do të ndërmerren veprime të mëtejshme për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e ngjarjes. Po ashtu, është urdhëruar edhe një ekzaminim psikiatrik i të dyshuarit.
Për shkak të rrezikut të arratisjes dhe për të siguruar zhvillimin e papenguar të procedurës penale, prokurori publik i ka propozuar gjykatës caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.

