Presidenti gjerman: Kina duhet të bisedojë edhe me Kievin nëse dëshiron paqe në Ukrainë

Presidenti gjerman: Kina duhet të bisedojë edhe me Kievin nëse dëshiron paqe në Ukrainë

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, ka shprehur dyshime për planin e paqes të Kinës të njoftuar së fundmi për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, raporton Anadolu.

“Është e diskutueshme nëse superfuqia Kina dëshiron të luajë një rol konstruktiv për këtë qëllim. Por nëse ndodh, atëherë Kina sigurisht që duhet të flasë jo vetëm me Moskën, por edhe me Kievin”, tha presidenti Steinmeier gjatë një ngjarjeje për të shënuar përvjetorin e luftës Rusi-Ukrainë.

Steinmeier i bëri thirrje Pekinit, i cili gëzon lidhje të ngushta me Moskën, të mbajë një qëndrim të qartë kundër luftës së Rusisë ndaj Ukrainës.

“Është Rusia ajo që ka sulmuar brutalisht shtetin e saj fqinj. Është Rusia ajo që vazhdon të dërgojë trupa të reja në front”, tha ai.

Nëse Kina dëshiron të luajë një rol konstruktiv për paqen në Ukrainë, theksoi Steinmeier, atëherë ajo duhet t’i bashkohet shumicës dërrmuese të vendeve dhe të punojë për paqen nën kujdesin e OKB-së.

“Ne duhet të bashkohemi për të siguruar që parimet e OKB-së të respektohen nga vendi që i shkel ato në baza ditore”, tha ai.

Presidenti gjerman theksoi se trupat ruse duhet të tërhiqen nga Ukraina dhe se pa këtë hap nuk do të jenë të mundura negociatat mbi fundin e luftës.

“Një paqe e rreme, e cila thjesht shpërblen rrëmbimin e tokës nga Putini dhe i lë njerëzit në mëshirën e veprimeve arbitrare të pushtuesve të tyre, nuk do të jetë një paqe e vërtetë”, tha Steinmeier.

MARKETING