“Presheva flet” – Panairi i Parë i librit shqip në Preshevë / Logos-A vjen me promovimin e romanit “Udhëtimi për në Tajan” të Ferid Muhiçit

“Presheva flet” – Panairi i Parë i librit shqip në Preshevë / Logos-A vjen me promovimin e  romanit “Udhëtimi për në Tajan” të Ferid Muhiçit

Nën moton domethënëse “Presheva flet”, më 21 dhe 22 qershor, në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë, do të mbahet Panairi i Parë i Librit në Preshevë, një ngjarje historike për jetën kulturore të Luginës dhe më gjerë. Ky edicion i parë vjen si dëshmi e gjallë e etjes për dije, gjuhë dhe identitet në një nga trevat më të përkushtuara për ruajtjen e kulturës shqiptare.

MARKETING

Panairi është organizuar nga Biblioteka e qytetit “Mehmet Jusufi” si dhe nga institucione të kulturës dhe arsimit të kësaj zone, në bashkëpunim me shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Bashkëorganizatore e panairit “Presheva flet” është edhe sh.b. “Albas”.

Gjatë këtyre dy ditëve në panairin e librit që po mbahet për herë të parë në Preshevë, do të ketë larami aktivitetesh kulturore si: promovime librash, tryeza të rrumbullakëta, panele diskutimi, ekspozita për fëmijë, lexime poetike etj.

Sh.B. “Logos-A”, gjatë ditës së sotme në panairin e librit “Presheva flet” do të promovon romanin “Udhëtimi për në Tajan” të autorit boshnjak, Ferid Muhiç.
Romani “Udhëtimi për në Tajan” është udhëtim drejt vendlindjes të cilën e ndërmerr autori, udhëtim në identitet, në njohjen dhe gjetjen e vetes, që ka rrezikuar të humbet në rrënojat e fatit të përmbysur, siç humbet një djep fëmije nën rrënojat e një shtëpie të shembur nga një tërmet çrrënjosës.

Ndërkaq, ditën e nesërme në këtë panair, pritet të që të mbahet edhe një tryezë me temë “Ruajtja e identitetit përmes trashëgimisë kulturore”.

“Presheva flet” është panairi i parë që po mbahet në Luginën e Preshevës, ku kjo ngjarje kulturore, mund të shihet si mundësi dhe shtytje shumë e rëndësishme për zhvillimin e jetës kulturore dhe sociale në trevat shqiptare, gjegjësisht si një shtytje për rimëkëmbjen e frymës kulturore në vatrën shqiptare, Luginën e Preshevës.

MARKETING