Plenkoviq: Nëse një lider serb e njeh Kosovën, karriera e tij politike përfundon

Plenkoviq: Nëse një lider serb e njeh Kosovën, karriera e tij politike përfundon

Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq tha të mërkurën se kompleksitetit të situatës në Kosovë i kontribuon fakti se vendimi për njohjen e saj do të ishte fatal për karrierën politike të çdo politikani serb.

Plenkoviq këto komente për Kosovën i bëri në konferencën e sigurisë GLOBSEC 2023 në Bratislavë të Sllovakisë, ku po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Siç raporton media kroate “Index.hr”, kryeministri kroat tha se Zagrebi kërkon paqe dhe ndërprerjen e shpejtë të incidenteve, duke iu referuar përleshjeve mes forcave të KFOR-it dhe protestuesve serbë në veri të Kosovës, ku të hënën u plagosën më shumë se 80 persona.

“Cilido udhëheqës në Serbi që do ta njihte Kosovën, mendoj se ai më nuk do të kishte perspektivë në karrierën e tij politike”, tha Plenkoviq, duke shtuar se prandaj është e komplikuar të gjesh një zgjidhje, transmeton Telegrafi.

Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërmjetësojë në negociata, të qetësojë situatën dhe të gjejë një zgjidhje në mënyrë që serbët në veriun e Kosovës, me shumicë serbe, të vazhdojnë të marrin pjesë në procesin demokratik.

Pa këtë, “nuk dërgohen sinjalet e besimit dhe ndërtimit të bashkëjetesës”, tha kryeministri kroat.

Disa dhjetëra ushtarë të KFOR-it, forcës së bashkësisë ndërkombëtare nën udhëheqjen e NATO-s, janë lënduar të hënën pasdite në një përleshje me protestuesit serbë në komunën e Zveçanit në veri të Kosovës.

Protestuesit serbë, mes të cilëve ka edhe disa dhjetëra të lënduar, kundërshtuan vendosjen e kryetarëve shqiptarë në komunat veriore pas zgjedhjeve lokale, të cilat u bojkotuan nga serbët.

MARKETING