Pesë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit, një person privohet nga liria
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar disa raste të dhunës në familje në qytete të ndryshme të vendit, ndërsa policia ka ndërmarrë masa për zbardhjen e tyre.
Në Manastir, më 16 prill rreth orës 16:00, policia ka privuar nga liria një 43-vjeçar me iniciale G.B., i cili dyshohet se fizikisht e ka sulmuar nënën e tij.
Ndërkohë, në Kumanovë, një grua 65-vjeçare ka denoncuar se për një periudhë më të gjatë kohore është keqtrajtuar psikikisht nga djali i saj 35-vjeçar, i cili sipas saj është sjellë në mënyrë agresive.
Një tjetër rast është raportuar në rajonin e Strugës, ku një grua 56-vjeçare ka denoncuar partnerin e saj për dhunë fizike dhe psikike të vazhdueshme. Sipas denoncimit, ai e ka dëbuar nga shtëpia dhe i ka marrë çelësat e banesës.
Raste të ngjashme janë regjistruar edhe në Shkup. Një grua 59-vjeçare ka raportuar se ish-bashkëshorti i saj 65-vjeçar ka bërë kërcënime ndaj saj dhe djalit të tyre, ndërsa një 48-vjeçare ka denoncuar kërcënime telefonike nga ish-partneri i saj ndaj saj dhe familjes.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rasteve dhe se pas dokumentimit të tyre do të parashtrohen kallëzime përkatëse kundër autorëve.

