Përmbytje katastrofike në Brazil, deri më tani dhjetëra viktima dhe të zhdukur

Përmbytje katastrofike në Brazil, deri më tani dhjetëra viktima dhe të zhdukur

Të paktën 36 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut në Sao Paulo të Brazilit.

Dhjetëra njerëz janë ende të zhdukur dhe ndërsa numri i të vdekurve pritet të rritet me kalimin e orëve.

Punonjësit e shpëtimit shpresojnë të nxjerrin të gjallë nga balta, disa prej të bllokuarve në shtëpitë e përmbytura.

Pamjet e shpërndara në rrjete sociale tregonin pasojat katastrofike me lagje nën ujë, autostrada të përmbytura dhe mbeturina të përhapura gjithandej.

Si pasojë e situatës së krijuar qindra persona janë zhvendosur nga banesat e tyre, ndërsa ekipet e emergjencës janë në luftë me kohën.

Në një postim në Twitter Presidenti Luiz Inácio Lula da Silva, ai dërgoi ngushëllimet e tij për viktimat, ndërsa deri më tani një fond prej 1.5 milion dollarë do të jetë në dispozicion të të prekurve.

Ne do të bashkojmë të gjitha nivelet e qeverisjes dhe me solidaritetin e shoqërisë do të trajtojmë të plagosurit, do të kërkojmë të zhdukurit, do të rivendosim autostradat, lidhjet e energjisë elektrike dhe telekomunikacionin në rajon”, shkroi presidenti Lula.

Porti më i madh i Amerikës Latine në Santos u mbyll, pasi shpejtësia e erës tejkaloi 55 km/h.

Gjithashtu festimet e karnavaleve, të cilat startuan të shtunën, u anuluan në disa zona, për shkak të situatës kaotike.

Në zonë priten reshje të tjera të dendura shiu, të cilat rrezikojnë të përkeqësojnë edhe më shumë kushtet për ekipet e emergjencës.

Ngjarjet ekstreme të motit si përmbytjet pritet të bëhen më të zakonshme, ndërsa ndikimin më të madh e kanë ndryshimet klimaterike.

Vitin e kaluar, shiu i rrëmbyeshëm në qytetin juglindor të Petropolis vrau më shumë se 230 njerëz.

MARKETING