Përgjegjësia e pedagogut përballë idealit kombëtar

Përgjegjësia e pedagogut përballë idealit kombëtar

Shkruan: Prof.Dr. Metin İzeti

Universiteti i Tetovës krahas asaj qe është një institucion arsimor; ai është produkt i një sakrifice sublime, një dëshirë e kahmotshme dhe një ideal i paarritur për dekada me radhë nga breza të tërë. Si i tillë, ai mbart mbi supe një peshë historike dhe kombëtare që shkon përtej mureve të amfiteatrit. Në këtë ngrehinë të shenjtë të dijes, çdo pedagog mban një përgjegjësi absolute për imazhin dhe dinjitetin e universitetit.

Pedagogu nuk është vetëm një shpërndarës i informacionit shkencor, por është, para së gjithash, një model i integritetit moral dhe profesional. Imazhi i universitetit reflektohet drejtpërdrejt në sjelljen, etikën dhe qasjen e secilit profesor. Kur një pedagog merr përsipër të udhëheqë një lende, ai merr përsipër të përfaqësojë vlerat më të larta të shoqërisë.
Në një hapësirë ku formësohen elitat e së nesërmes, nuk ka vend për anomali apo kaprice personale.

– Profesionalizmi mbi egon: Interesat, rrethanat apo pakënaqësitë personale të askujt nuk guxojnë të eklipsojnë misionin akademik.
– Objektiviteti absolut: Universiteti duhet të mbetet një mjedis ideal, i zhveshur nga subjektivizmi, ku vlerësimi bëhet vetëm mbi bazën e meritës dhe ku autoriteti i profesorit buron nga dija dhe respekti reciprok, jo nga imponimi apo arroganca.
– Integriteti etik: Çdo shfaqje e mllëfeve personale, e paqëndrueshmërisë emocionale apo e animit subjektiv dëmton rëndë jo vetëm figurën e pedagogut, por godet drejtpërdrejt besueshmërinë e vetë institucionit.

Për dekada me radhë, mundësia për të studiuar lirshëm në gjuhën amtare dhe për të pasur një universitet dinjitoz ka qenë ëndrra më e madhe e këtij populli. Sot, studentët janë personifikimi i këtij ideali të arritur me shumë mund.
Studenti nuk është vetem një numër indeksi apo një dëgjues në sallë; ai është arsyeja e ekzistencës së vetë universitetit.

Aty ku bëhet fjalë për studentin, duhet të zotërojë vetëm kujdesi, mentorimi i saktë dhe dëshira për t’i hapur rrugë të ardhmes. Pedagogët e kanë për detyrë t’i shërbejnë këtij ideali me përulësi dhe devotshmëri, duke kuptuar se përpara tyre qëndrojnë fëmijët e atyre që sakrifikuan gjithçka për këto dritare të dijes.
Universiteti i Tetovës duhet të jetë pasqyra e një shoqërie të emancipuar dhe të përparuar. Ruajtja e imazhit të tij të pastër është një borxh moral që çdo pedagog ua ka dëshmorëve të këtij universiteti, prindërve që sakrifikojnë për fëmijët e tyre dhe vetë studentëve që besojnë te kjo vatër e shenjtë.

MARKETING